
Nga studion e MCN Live, politologu Ilir Kalemaj duke komentuar mbi situatën politike në vend deklaroi se duhet një pol i tretë i forcës politike.
Ai tha se partitë e reja nuk kanë rezistuar, ndërsa shtoi se Shqipëria nuk ka pasur politikë ideologjike. Duke u ndalur te Partia e Lirisë, Kalemaj theksoi se është një parti që ka evoluar ideologjikisht, dhe sfida qëndron në cilin kamp do jenë votat.
Ka dy anë të medaljes, duhet një pol i tretë i forcës politike. Kemi pushtet absolut, populli duhet të kërkojë një linjë të tretë. Janë mekanizmat elektorale ato që e pamundësojnë. Ka dhe një element shtesë se këto parti të reja nuk kanë rezistuar dhe nëse do kishin rezistuar do kishim një paraqitje tjetër. Kemi rastin e partisë Libra, e Bojaxhiut, pra kemi shumë aleanca që nuk rezistuan gjatë për mesazhin e tyre. Është qëndrimi në politikë, jo vetëm një cikël i tyre. Politika është e të mundshmes. Duke marrë rastet si Meloni, Kurti, Cipras ne nuk presim që të ikin të gjithë ata që janë këtu sot dhe të krijohet vetëm me të rinj. Duhet të jemi të qartë në disa gjëra. E dyta Partia Lirisë është një parti që ka evoluar ideologjikisht, është një parti tjetër sot. Këtu kemi një sfidë të një partie që të vendosë ku do jenë ato vota, në cilin kamp. Këtu sfidë ideologjike nuk ka pasur, nqs duhet të bëhet tani ja sheshi, ja mejdani të dalin dhe të marrin votë. Problemi është si të arrish në pushtet.
Më tej ai argumentoi se ka një gërryerje të legjitimitetit të partisë aktuale ku tha se për këtë bien dakord shumica e shqiptarëve.
Shembulli i gjithë kësaj është ikja e shqiptarëve, por që shqiptarët janë të zhgënjyer nga opozita edhe kjo është e dukshme. Duhen alternativa të reja dhe figura të reja që duhet të ishin në ballë. Për aq kohë sa kjo nuk gjendet te opozita dhe ata janë të zënë mes veti, besoj se shqiptarët do vazhdojnë të abstenojnë në vota dhe nuk mund të kemi një ndryshim pushteti.



