Gazetarja Mirela Oktrova dhe aktori Edmond Topi organizatorët e edicionit të tetë të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit treguan përmes emisionit “Arnautistan” në MCN TV risitë e këtij edicioni.
“Në mendojmë se fakti që organizohet një festival është mjaftueshëm risi, lajm. E konsiderojmë risi dhe lajm faktin që në vetvete bëhet një festival. Risi tjetër është çdo film që prodhohet. Risi dhe rezistencë veçanërisht në kohë pandemie është çdo produksion që arrin të finalizohet sepse për fat të keq globalisht pandemia ka goditur qelizën bazë, kinemanë, dëshirën për të parë filmin sëbashku”, tha Oktrova.
“Në thelb festivalet por edhe i yni kanë një lloj rregulli fiks që ne marrim vetëm produksionet e vitit të kaluar. Meqenëse e gjithë bota është në pandemi, matematikisht ne i heqim këto dy vite. BE e kishte të ndaluar të xhiroje. Kriza e industrisë së filmit është nga më të rëndat që ka pësuar Europa. Filmat që kanë ardhur kanë gjeografi të gjerë, nga Japonia deri në Gjeorgji, Irani, Rusia”, tha Topi.
Të pyetur se cili mund të jetë interesi i shumë shteteve të promovojnë filmat në Shqipëri, Topi tha se nëse ke një vepër dhe film ti mund të konkurrosh me të tjerë.
“Në festivalet tona nuk janë shitur filma, ky festival i ndihmon ata të hyjnë në marketin e filmit”, tha aktori.



