
Kreu i PD-së, Lulzim Basha, mblodhi sot Kolegjin e Kryetarëve, me të cilët janë diskutuar një sërë çështjesh të aktualitetit. Basha ka folur për reformën zgjedhore dhe zgjedhjet e parakohshme.
“Në fillim të janarit do të jenë gati. Do të bëhet prezantim publik dhe njeherë do t’i bëhen të ditura të gjitha strukturave të PD dhe qytetarëve. Pas prezantimit, këto propozime do t’i nënshtrohen një konsultimi të gjerë për të marrë mendimin e anëtarësisë dhe qytetarëve edhe përsa i përket aspekteve të tjera të reformës siç është sistemi zgjedhor”, tha Basha.
Ndërkohë, kreu i selisë blu ka kërkuar angazhimin e degëve në ndihmë të familjeve të prekura nga tërmeti.
“Duhet të jemi çdo ditë afër qytetarëve, duhet të jemi gjithnjë pranë tyre. Në degët e prekura nga tërmeti duhen ngritur menjëherë grupe pune që të identifikojnë çdo familje të prekur nga tërmeti. Këto grupe pune të identifikojnë ato familje që nuk i është ofruar asnjë ndihmë, që gjenden pa strehë. Të evidentohen familjet që nuk kanë vlerësim për banesat e tyre, apo kanë vlerësime kontradiktore, që jetojnë në objekte të shpallura të pabanueshme se nuk kanë ku të strehohen”, është shprehur Basha.



