
I akuzuari i vetëm për vrasjen e komisarit Dritan Lamaj, Arben Frroku shfaqet sërish në dyert e gjykatave shqiptare. Edhe pse ai ndodhet i arrestuar në Holandë, Frroku i drejtohet me një kërkesë Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
I akuzuari për vrasjen e zyrtarit të Policisë, i kërkon GJKKO-së t’i llogarisë edhe kohën e paraburgimit, që ka qëndruar në Greqi, kur u kap në vitin 2013. Kërkesa e Frrokut është marrë për shqyrtim nga gjyqtari Klodian Kurushi.
Kujtojmë se Arben Frroku u dënua nga ish-Apeli i Krimeve të Rënda me burgim të përjetshëm, por ky dënim iu konvertua me 18 vite burg në Holandë. Ndërkohë, shteti holandez ka refuzuar kërkesën për ekstradimin e Arben Frrokut drejt Shqipërisë. Me konvertimin e dënimit në Holandë, Frroku kërkon llogaritjen e viteve të paraburgimit që ka kryer që nga viti 2013, kur ka ndodhur edhe vrasja.



