
Pamjet e fiksuara nga kamerat e sigurisë në hotelin ku qëndroi biznesmeni turk Faruk Fatih Ozer, kanë zbuluar personat që e kanë ndihmuar 27-vjeçarin të arratiset nga autoritetet turke.
Personi me xhup me ngjyrë të kuqe dhe të bardhë siç shohet edhe në foton e mësipërme, është identifikuar nga policia si Altjon Canaj. Pas iidentifikimit të tij nga kamerat e sigurisë, policia e Shtetit e ka shoqëruar atë me qëllim marrjen në pytje mbi vendndodhjen e biznesmenit turk .
Mediat turke që shkruajnë prej ditësh mbi këtë ngjarje, kanë zbardhur dëshminë e të riut i cili ka deklaruar se e ka ndihmuar Ozerin bashkë me një person tjetër me emrin Edivaldo Haxhiu.
Kanë qenë këta persona që e kishin pritur 27-vjeçarin turk në aeroportin e Rinasit dhe më pas e kishin çuar në hotel. Canaj ka treguar se më pas është njohur me lajmet në media se Faruk Fatih Ozer që akuzohet për mashtrim, ka tentuar që të kontaktojë me Edivaldo Haxhiun, por nuk kanë folur prej disa ditësh. Sipas mediave turke, Edivaldo Haxhiu i cili është shpallur në kërkim është biznesmen në Shqipëri.
Në lidhje me këtë rast, në Shqipëri është arrestuar edhe një çift bashkëshortësh të cilët e kishin strehuar Ozerin pasi ai u largua nga hoteli. 27-vjeçari turk, ka qëndruar te një shtëpi tek zona e Pazarit të Ri por në momentin që policia shkoi për ta arrestuar, ai nuk u gjet aty. Çifti i bashkëshortëve mësohet se ka komunikuar në telefon me Ozerin ndërsa shpesh kanë shkuar në Turqi.
Shtypi turk shkruan se bosi i kriptomonedhave vijon të jetë në Shqipëri ndërsa strehohet nga njerëz të botës së krimit. Ai kërkohet që prej 21 Prillit nga autoritetet turke për mashtrim me 2 miliard dollarë në bursën e kriptomonedhave THODEX, ku kishin investuar rreth 400 mijë persona.



