Ekzekutivja në tregun e sigurimeve Venera Xhillari tha në “Mcn Economy” se është shqetësuese që s’ka një plan strategji nga qeveria për ndërtimin e infrastrukturës për makinat elektrike. Ajo thekson se kompanitë e sigurimit kanë risk më të madh me makinat elektrike, sepse kostot janë të mëdha. Xhillari shprehet se makinat e përdorura që hyjnë në Shqipëri janë të pakontrolluara dhe të pastandarizuara.
"Ka direktiva nga BE që deri në 2030-ën skenari për Shqipërinë 11,5 për qind e mjeteve të jenë elektrike. Ndryshimeve teknologjike janë drejt makinave elektrike, sepse shkëput varësinë nga motorët me djegie të brendshme, kanë efiçencë më të lartë energjie, kosto të lartë në blerje, por jo gjatë jetës së makinës. Sa i përket hyrjeve në Shqipëri, ka dy kategorish, edhe mjete të reja elektrike, por edhe shumë mjete të përdorura, që janë të pakontrolluara kur hyjnë këtu. Nuk janë të standardizuara.
Pjesa më e madhe s’kanë kontroll dhe standardizim të tyre. Pavarësisht hyrje, në Shqipëri ka edhe problematika të tjera, më kryesorja me infrastrukturën, që lidhet me stacionet e karikimit të këtyre mjeteve. Për lëvizje të gjata duhet të kemi stacione karikimi që të mbulojnë gjithë territorin, por pjesa e infrastrukturës s’është kaq e zhvilluar. Përqindja e makinave elektrike është 3-5 për qind e makinave në vendin tonë.
Çmimi dikton tregon. Makinat e përdorura është çmimi që i dikton. Meqenëse makinat elektrike janë të dhjetëvjeçarit të fundit, të reja, dhe s’kemi provuar akoma bateritë. Pjesa më e kushtueshme e makinave elektrike është bateria, që zë 60 për qind të peshës së tyre. Në rast se kanë jetëgjatësi 6-7 por edhe 8 vite, cili do jetë fati i tyre, sepse bateritë janë të kushtueshme deri në 7-8 mijë euro. Ne s’kemi ardhur në këtë skenar sepse janë hyrje të reja.
S’kemi akoma dëme, flas për amortizimin e mjeteve dhe te bateritë. Këto bateri ose do riciklohen ose do depozitohen gjëkundi, dhe do jenë ndotje toksike. Ajo që është më shqetësuese është që s’ka një plan strategji nga qeveria për ndërtimin e infrastrukturës për makinat elektrike. S’ka ndonjë incentivë nga qeveria siç i ka Europa, që mund të lëvizin në korsi të dedikuara, te korositë e autobusëve, të kenë poste parkimi. Risku më i madh është që kostot nga dëmtimet janë të mëdha për kompanitë e sigurimit".



