
Politologu Ilir Kalemaj protestën e 7 korrikut e krahason me një lëvizje të konceptuar si foltore, të nisur nga Sali Berisha dhe me mbështetje të gjerë, duke e krahasuar me katarsisin e Fatos Nanos.
Për Kalemaj, interes përbën se sa sukses elektoral ka kjo lëvizje dhe fashat e elektoratit të PD, ku duke folur për MCN Live, përmendi disa kategori.
Së pari kemi militantët, askush nuk e ka vënë në diskutim se militantët apo qëndrestarët ishin me Sali Berishën. Askush nuk e vë në diskutim se shumica e anëtarësisë së PD 44-45 mijë anëtarë aktiv janë me Berishën, Rithemelimin apo ata që drejtojnë PD.
Fasha tjetër është e elektoratit të djathtë që shkon 400-500 mijë dhe si elektorat opozitar shkon në 620 mijë. Është një protestë masive, por me një lule nuk vjen behari, ka pakënaqësi ndaj qeverisë.
A ka mundësi për ta rrëzuar qeverinë dhe a ka alternativë për të ardhur në qeveri? Këtu jam skeptik se nuk shoh një ofertë konkrete. Fasha e tjetër është fasha gri dhe e të lëkundurve, pa të cilët ti nuk vjen dot në pushtet.
Nuk mendoj që Berisha edhe në këtë protestë dhe më para duhet të kishte krijuar një hapje më të madhe. Natyrisht që çdo gjë ka fazën e vetë, ai duhet të ofronte pjesën tjetër të partisë që të krijonte idenë e bashkimit.
Pashë që disa deputetë ishin linçuar edhe pse shkuan në protestë. Kjo nuk i shërben as PD dhe as pozitës. Duhet të jetë fryma e bashkimit.
Ai ngriti pikëpyetje për alternativën e munguar qeverisëse për elektoratin gri, duke nënvizuar se nuk mund të votohet vetëm si mbështetje për Sali Berishën.
Problemi i opozitës ndër vite pavarësisht se i niste dhe nuk i bitiste protestat, ishte krimi, krimi, droga, droga. Shqiptarët duan të dëgjojnë ide se si do qeverisësh, njerëzit duan të shohin alternativë qeverisëse, fytyra të reja, energji të reja. Këto nuk po i shohim!
PS në çdo rast ka fituar si sigël, si parti, ndërsa PD ka arritur ta thyejë PS kur ka bërë aleanca të gjera, në ‘92-in me studentët. Ka bërë në 2005, në 2009 koalicion me parti të tjera, përfshi dhe parti të majta.
Problemi është se po persekuton dhe deputetët e saj aktual në parlament.
Lidhur me mesazhin që po jep, ai tha se Sali Berisha ka disa avantazhe që nga njohja e thellë e strukturave dhe që gjeneron entuziazëm, gjë që sipas tij nuk mund ta bëj një lider që imponohet si kryetar.
Por ai tha se Berisha ka dhe kusuret e tij se ka pasur kohë që t’i thoshte gjërat publikisht gjatë kohës që ka qenë Lulzim Basha dhe të mos priste tani.
Në momentin që do hapte mekanizmat e garës në parti, do kishte debat dhe PD nuk do ishte në gjendjen që është sot. Pas gjithë turit të foltores dhe Rithemelimit, 90% e PD dhe Këshillit Kombëtar është konfirmuar, e keqja u përqendrua te Basha dhe e mira te Berisha.
Problemi është si do ngjallësh entuziazëm tek elektorati dhe si do të vish në pushtet. PD po fragmentohet në dy apo më shumë pjesë.



