
Ka nisur sot Konferenca e Sigurisë së Mynihut, ku marrin pjesë 50 liderë botërorë. Në konferencë nuk janë të ftuar Rusia dhe Irani. Sekretari i OKB-së Antonio Guterres pritet të hapë në panelin hapës, dhe mandej vjen diskutimi “SHBA-të në botë”, ku do të flasë zv.Presidentja Kamala Harras.
Kjo e fundit pritet të zotohet se Uashingtoni nuk do tërhiqet kurrë nga detyrimet e saj në NATO. Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha për “Reuters” se Harris do të krahasojë “qëndrimin e Biden për angazhim global”, me ato që ajo i konsideron si “pikëpamje izoluese të Trump”-it. Në panelin e dytë do të flasë Presidenti ukrainas Zelensky dhe shefi i NATO-s Stoltenberg.
Konferencës do t’i bashkohet edhe Sekretari i Shtetit Antony Blinken, i cili sapo përfundoi një vizitë në Shqipëri, ku foli për një “partneritet të jashtëzakonshëm” mes dy vendeve. Kryeministri Rama pritet të flasë të shtunën më 17 shkurt, ditë kur do të diskutohet mbi Ballkanin. Kosovën do ta përfaqësojë kryeministri Albin Kurti, ndërkaq Serbinë presidenti i saj Aleksandër Vuçiç.
Pjesëmarrja e tyre në të njëjtin forum vjen në kohën kur tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë rritur për shkak të një vendimi të Bankës Qendrore të Kosovës për të ndaluar pagesat me dinarin serb. Konferenca e 60-të e Sigurisë në Mynih vjen në një kohë të trazuar dhe kritike për sigurinë globale.



