Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Klodjan Braho, së bashku me drejtuesin e seksionit kundër Krimit të Organizuar, Vladimir Mara, dhe drejtuesen e seksionit kundër Korrupsionit, Dorina Bejko, kanë zhvilluar një seri takimesh zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me fokus forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Sipas njoftimit të SPAK, delegacioni shqiptar është pritur nga Ndihmës Prokurori i Përgjithshëm A. Tysen Duva dhe përfaqësues të OPDAT, ndërsa takime janë zhvilluar edhe në Departamentin e Drejtësisë së SHBA-së, ICITAP, FBI dhe DEA.
Gazetari Arsen Rusta, në një lidhje për MCN Live, bëri të ditur se një nga takimet më të rëndësishme ka qenë ai për çështjet e narkotikëve, duke theksuar se bashkëpunimi dhe koordinimi mes institucioneve duket se është rikthyer në normalitet.
“Është folur për koordinimin e përbashkët te DEA dhe FBI. MCN Live ka mësuar se një takim i rëndësishëm ka qenë edhe ai për narkotikët. Hetimet e hapura dhe koordinimi tregojnë se gjithçka është kthyer në normalitet. Nuk ka një çështje konkrete për këtë vizitë, por fokusi mbetet te lufta kundër krimit, narkotrafikut, goditja e kokainës, konfiskimi i pasurive dhe lufta kundër korrupsionit.
Ai shtoi gjithashtu se, ndonëse nuk ka pasur një reagim publik nga ambasada amerikane për këto takime, roli i agjencive si DEA dhe FBI mbetet thelbësor në çdo operacion kundër narkotrafikut, përfshirë edhe bashkëpunimin në rajonin e Ballkanit, ku përfshihet edhe Shqipëria.



