Kompania One ka reaguar në lidhje me lajmin e publikuar në media për ngjarjen e 24 dhjetorit 2024, në zyrat qendrore të kompanisë në Laprakë. Tre ditë më parë, policia procedoi penalisht disa punonjës të sigurimit dhe drejtuesit të departamentit të zyrave dhe pasurisë, të cilët kanë fshehur sulmin në zyrat e "ONE" nga dy persona të maskuar natën e Krishtlindjeve të vitit të kaluar. Ngjarja e bërë publike tre muaj pasi ndodhi, për One është një incident pa pasoja. One thotë se në lidhje me të është keqinformuar dhe se serverat dhe të dhënat e kompanisë nuk janë prekur.

Pjesë nga reagimi i kompanisë

Faktet janë si më poshtë. Një hyrje e paautorizuar me forcë fizike ka ndodhur ditën e Krishtlindjeve, 25 dhjetor 2024, rreth orës 2:30 të mëngjesit në një nga zyrat e One Albania, në Laprakë. Dy persona të maskuar kanë hyrë në mënyrë të paligjshme në këto ambiente dhe kanë kaluar 23 minuta e 8 sekonda në disa korridore, para se të dilnin nga godina. Një roje sigurie i kontraktuar në detyrë, në këtë godinë, pavarësisht faktit se ishte regjistruar teksa ecte dhe kontrollonte, nuk arriti të zbulonte as personat që u futën të paautorizuar, as derën e dëmtuar të përdorur për hyrje të paligjshme. Pamjet e sigurisë kapën të gjithë kohëzgjatjen e incidentit, gjë që konfirmon se personat u tërhoqën nga ndërtesa pa marrë asgjë, pa bërë ndonjë dëmtim apo vandalizëm dhe pas kontrolleve të brendshme të imtësishme nuk u raportua mungesa e ndonjë sendi.

One Albania zbardh të vërtetën në lidhje me ngjarjen e Laprakës si më poshtë:

Kamerat e sigurisë ishin plotësisht funksionale dhe bënë regjistrimin e pamjeve të qarta që ndihmuan në rishikimin e incidentit.

Regjistrimet e kamerave të sigurisë janë të plota, të arkivuara dhe të disponueshme për policinë.

I vetmi dëm fizik i identifikuar ishte dryni i derës së pasme, i cili u riparua menjëherë.

Nuk ka patur ndërhyrje të paautorizuar në asnjë nga serverët tanë, të dhënat konfidenciale të biznesit apo ato financiare. Dhoma e serverit rreptësisht e siguruar u kontrollua dhe nuk ka patur asnjë hyrje, apo përpjekje për hyrje në atë zonë. Në asnjë moment infrastruktura jonë digjitale nuk është kompromentuar, dëmtuar apo vandalizuar.

Infrastruktura jonë e rrjetit mbeti e paprekur dhe e sigurt, pa asnjë ndërhyrje të regjistruar.

Kjo ngjarje nuk ka asnjë lidhje apo përkatësi politike dhe në asnjë mënyrë nuk ka lidhje me ndonjë çështje tjetër juridike. Çdo pretendim që hamendëson të kundërtën është plotësisht i pabazuar.

Në kuadër të procedurave tona të brendshme janë marrë masa paraprake disiplinore ndaj punonjësve, që nuk respektuan protokollin dhe nuk arritën të përshkallëzojnë incidentin te drejtuesit e lartë. Gjithashtu, One Albania mori masat e nevojshme për të ndërprerë kontratën me kompaninë e sigurisë, përgjegjëse për ruajtjen e ambienteve. Sistemet tona kanë mbetur të sigurta dhe plotësisht funksionale gjatë gjithë kohës.