Vietnami ka çuar në bankën e të akuzuarve për korrupsion politikanë të nivelit të lartë, megjithatë në opinion ekziston mëdyshja nëse goditja e elitës është një luftë brenda vetë Partisë Komuniste apo shkaku është vërtet abuzimi me pushtetin.
Dhjetëra njerëz u mblodhën para Gjykatës Popullore të Hanoit për të parë Dinh La Thang, anëtarin e parë të byrosë politike që arrestohet për korrupsion dhe Trinh Xuan Tahnh, një drejtues i një firme shtetërore nafte, që mendohet se është rrëmbyer në Berlin nga agjentë vietnamezë.
Të mbërritur në gjykatë me pranga në duar dhe veshje të thjeshta, pamja e tyre ndryshonte tërësisht nga koha kur gëzonin pushtet dhe privilegje. Ata përballen me akuza për abuzimin me qindra miliona dollarë nëpëmjet kompanisë shtetërore të naftës PetroVietnam.
Por shumë vietnamezë janë dyshues në lidhje me këtë proces. Ata besojnë se më shumë sesa një gjyq kundër dy zyrtarëve të përfshirë në afera korruptive në dëm të shtetit, ky gjyq është goditja e rivalëve në luftën për pushtet.
“Ky rast ka ngiritur zërin e njerëzve kundër korrupsionit, por nuk është mjaftueshëm efektiv. Edhe nëse paratë e vjedhura kthehen, po nuk ndryshuan politikat, vendi do të vijojë të mbetet i varfër”, thotë Vu Van Thuong, një biznesmen 60-vjeçar që kishte dalë për parë mbërritjen e të akuzuarve në gjykatë.
“Kush e beson se kjo është goditja e një rasti korrupsioni. Të gjithë e dinë se janë dy palë rivale që po luftojnë për pushtet”, shprehet dikush në rrjetet sociale.
Qeveria vitenameze thotë se të akuzuarit po gjykohen për keqmenaxhim, përvetësim ose të dyja bashkë. Në ditën e parë të gjyqit, turma e kureshtarëve u mbajt larg nga policia, ndërsa në sallë nuk u lejuan vetëm gazetarë të mediave që kanë lidhje me pushtetin.
Lufta e Vietnamit kundër korrupsionit u intensifikua vitin e kaluar pasi institucionet e sigurisë morën një ndikim më të madh nga sekretari i përgjithshëm të Partisë Komuniste, 73-vjeçari Nguyen Phu Trong.
Disa zyrtarë dhe drejtues janë arrestuar, shumica prej tyre nga PetroVietnam dhe sektori bankar në vendin komunist me mbi 90 milionë njerëz.
Çështja PetroVietnam po gjykohet paralelisht me rastin e mashtrimit që përfshin Bankën për Ndërtimin e Vietnamit.
Fitues dhe humbës
Shumë prej figurave të rastit PetroVietnam lidhen me ish-kryeministrin Ngyen Tan Dung, i cili e humbi pushtetin përballë Tong-ut në vitin 2016. Dung njihet për lidhjet e forta të tij dhe familjes së tij me biznesmenë të mëdhenj të Azisë Juglindore, ndërsa Trong ka një reputacion më modest. / Reuters /



