
Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç, ka thënë se vënia e kufirit me Kosovën nuk është propozim zyrtar, por ide e zyrtarëve shtetërorë. Por, sipas tij, nëse ka një propozim zyrtar, atëherë ai do të kalojë në Kuvendin e Serbisë si dhe për të do të vendosin qytetarët përmes referendumit.
Megjithatë, të martën, Daçiç pati deklaruar se vënia e kufirit me Kosovën është propozim zyrtar i Serbisë.
Disa orë pas kësaj deklarate, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se ideja për “vënien e kufirit ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë e Serbi është dhënë nga vetë ai që para dy vjetësh”.
“Nuk kam çfarë të komentoj. Këtë e kam thënë para dy vitesh”, tha Vuçiç gjatë një vizite në një Institut shëndetësor në Beograd.



