Një ditë pasi Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken u takua me Xi Jinping gjatë një udhëtimi në Kinë i cili synonte lehtësimin e tensioneve midis dy vendeve, Presidenti Joe Biden mendoi se ishte më mirë ta përkufizonte homologun e tij kinez “një diktator”. I zoti i Shtëpisë së Bardhë i bëri komentet e tij në një mbledhje fondesh në Kaliforni dhe shtoi se kreu i shtetit kinez u gjend në siklet të madh kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës rrëzuan një tullumbace spiune të Pekinit e cila doli jashtë rrugës. “Arsyeja pse Xi Jinping u zemërua shumë kur rrëzuam balonën me dy vagonë treni plot me pajisje spiunazhi brenda, ishte se ai nuk e dinte se ishte aty”, tha Biden siç raportohet nga Reuters. “Kjo është një nga ato gjëra që shkaktojnë siklet të madh te diktatorët, duke mos ditur se diçka ka ndodhur”. Përballë këtij qëndrimi, reagimi kinez nuk vonoi. “Kina shpreh zhgënjim të madh dhe protestë të fortë ndaj deklaratave të Biden, të cilat janë plotësisht absurde, jashtëzakonisht të papërgjegjshme, kundërshtojnë faktet dhe shkelin rëndë etiketimin diplomatik, përveçse cenojnë seriozisht dinjitetin politik të Kinës, ato janë një provokim i hapur politik”. Deklarata u bë nga zëdhënësja e ministrisë së Jashtme Mao Ning në një konferencë për shtyp në Pekin ditën e sotme. Blinken dhe Xi ranë dakord në takimin e tyre të hënën se nuk duan që rivaliteti SHBA-Kinë të përshkallëzohet në konflikt. Nga ana e tij Biden kishte deklaruar se beson se marrëdhëniet mes dy vendeve janë në rrugën e duhur.



