Kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, gjatë fjalës së tij në seancën e sotme, kritikoi qëndrimin e kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, gjatë vizitës që ky i fundit zhvilloi ditët e fundit në Greqi. Idrizi tha se shpresonte që lidhur me çështjen çame në takimet me krerët e shtetit fqinj të shihte kryeministrin e vitit 1999.
Në emër të PDIU-së, Idrizi shprehu indinjatë për mospërfshirjen në delegacion të asnjë deputeti çam.
Pjesë nga fjala e Idrizit
Unë nuk e fsheh habinë për gjuhën që zgjodhët në Athinë, sepse më shumë sesa e sofistikuar një ditë më pas mikpritësi juaj firmosi një letër ku komisionri Hahn u shpall armiku i klasës vetëm sepse përfshiu në axhendë çështjen çame. Unë shpresoja të shihja në sjelljen tuaj të atjeshme të paktën kryeministrin e vitit 1999 kur vizitonte Athinën ose kryetarin e LSI-së kur organizonte mbështetje dhe mbështeste çështjen çame.
Ma merr mendja se do të jenë çuditur edhe vetë grekët, të cilët me siguri nuk prisnin që të kishin në të njëjtën gjatësi vale me ju për të harruar një çështje, e cila nuk e harron asnjë nga qytetarët e tu dhe sëfundi as europianët. Ju thoni ta lëmë të shkuarën dhe ta shohim të ardhmen! Po Presidenti i Greqisë nuk ia lë çështjen e varrezave të shkuarës, por ia faturoi të ardhmen, askush nuk u ndie. As ju dhe as kolegët që ju shoqëronin. Por të vdekurit janë njësoj kudo, trajtohen me të njëjtin respekt, ndaj do të ishte e udhës të paktën të kishin kërkuar varet e shqiptarëve në Çamëri, por kjo befas ndodhi që i përket të së shkuarës.
Nëse nuk lejohen ndërtimet e varrezave prej të rënëve në Çamëri prej gjenocidit fashist grek në fund të Luftës së Dytë Botërore asnjë arkëmort grek nuk do të ketë në Shqipëri. Unë betohem solemnisht për këtë në emër të PDIU-së, pro edhe në emër të të gjithë shqiptarëve sido që të kem bindjen dhe besimin unë jam i bindur që nuk do t’i lejoj. Nuk ka gjuhë të mëndafshtë apo helm që të na pijnë, nuk ka aksion politik tokësor dhe detar, ajror që ne të na thyejë, aty do të jemi, përballë do të na kenë.
Unë nuk paragjykoj asnjë delegacion parlamentar kudo që të shkojë ai, le ta ndërtojnë si të duan, por mendësia e përjashtimit është e hidhur dhe buron nga mungesa e tolerancës dhe shpirtit integrues. Mirë ne të PDIU-së që nuk na përfshini kur shkoni në Athinë, por të paktën ka deputetë me origjinë çame nga partitë e tjera këtu në Parlament.



