Një operacion i policisë së Dibrës i koduar “Weapons”, ka vënë në pranga babë e bir, pas zbulimit të një arsenali armësh.
Në kuadër të këtij operacioni është ushtruar kontroll në banesën e Dalip Dedës, në fshatin Shullan, ku janë gjetur dhe sekuestruar një arsenal armësh.
Më konkretisht u sekuestruan dy armë zjarri kallashnikov, një pushkë, një armë gjahu, tritol, 200 metra fitil zjarrpërcjellës, 73 copë kapsolla detonatore, 715 copë fishekë, dhe 5 krehëra arme.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore nga Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin Dibër, u bë arrestimi në flagrancë babë e bir.
Të arrestuarit janë Dalip Deda, 68 vjeç dhe Pajtim Deda, 38 vjeç, babë e bir, banues në fshatin Shullan, njësia Administrative Kala e Dodës, Dibër.
Ndaj të dyshuarve materialet iu referuan Prokurorisë së Dibrës, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në bashkëpunim.



