Ish-punonjësit e Kombinatit të Përpunimit të Naftës në Ballsh janë ngritur sërish në protestë e cila është mbajtur para dyerve të kësaj uzine.
Ndonëse qeveria miratoi një vendim për akordimin e një page për 2 vite me radhë, kjo nuk i ka kënaqur naftëtarët e uzinës së Ballshit, të cilët kanë dalë sot në protestë.
Ata kanë hedhur akuza në drejtim të qeverisë, ndërsa pohojnë të vendosur se nuk do të lejojnë demontimin e uzinës.
Në një prononcim për mediat, kreu i sindikatës së naftëtarëve, Sokol Dautaj tha se ardhja e një kontejneri që mendohet se do të bënte edhe demontimin e uzinës, ka vënë në lëvizje naftëtarët.
Deri sa të shlyhen një më një naftëtarët, nuk shkel njeri këtu, vetëm mbi trupin tonë futen këtu. Boll kemi bërë negociata. Nëse duan që palët të zhdukin gjurmët e krimit, të bëjnë hesapet e tyre. Jemi informuar që ka kaluar një mbështetje financiare, nuk është zbardhur asgjë në fletoren zyrtare, por ne jemi të shqetësuar nga disa zëra që qarkullojnë. Kjo rafineri është e naftëtarëve. Kemi ndenjur pa u paguar për 13 muaj. Me pak investime, kjo rafineri kthehet në punë, pse nuk e vënë në punë?
Ndërkohë, në këtë linjë kanë qëndruar edhe naftëtarët, të cilët thanë se nuk do të lejojnë që kjo pasuri të demontohet, ndërsa shtuan se ata duan që të nisë puna.



