Që nga rastet e para të qytetarëve me virusin Covid-19, telefonatat për ndihmë mjekësore në Urgjencën Kombëtare kanë rënë ndjeshëm.
Në një lidhje Skype në edicionin e lajmeve në TVT-kreu i Urgjencës, Skënder Brataj thotë se telefonatat ditore janë ulur disa herë në krahasim me fillimet e përhapjes së koronavirusit.
Pasi kaloi piku, qëndroi disa ditë 7 mijë-8 mijë thirrje, tani që po flasim janë rreth rreth 3000. Më parë, më shumë se gjysma ishin për koronavirusin, ndërsa tani janë rreth 1000 thirrje. Janë për informacion më shumë sesa për sëmundje.
Drejtori i Urgjencës Kombëtare shton më tej se ndryshe nga sa ndodhte më parë me personat e dyshuar me simptomat e Covid-19, të cilëve iu bëhej tampon në spital, tashmë u merret në shtëpi.
Personat e identifikuar si të infektuar, bëhet gjurmimi nga epidemiologët. Ajo që dua të them, rënia e kërkesave për tampon tregon se ka jemi në fazë të mirë të kalimit të kësaj sëmundjeje.
Brataj është kundër lehtësimit të masave kufizuese, duke u shprehur madje se ato duheshin shtrënguar edhe më tej, pasi rreziku është ende i pranishëm.
Jam i shqetësuar personalisht, sepse jemi gjithmonë te ideja se mua nuk më gjen gjë. Kjo sëmundje nuk ka të bëjë me personin. Ka të bëjë me komunitetin. 75 % e të infektuarve nuk shfaqin simptoma, por janë rrezik për të tjerët dhe kjo u tregua më së miri në Itali.
Ndërkohë tendenca e një vale të dytë infektimi nga covid-19 pritet të shihet në ditët në vijim, për shkak se autoritetet shëndetësore ende nuk njohin sjelljen e tij, në raport me organizmin e vetë njeriut.



