
Teksa komentoi progres raportin e KE-së për Shqipërinë, ish-ministri i Jashtëm Paskal Milo thotë se korrupsioni është një fenomen gangrenë i vendit tonë, të cilit i duhen prerë rrënjët.
Duke folur në edicionin e lajmeve në MCN Tv Milo thotë se shoqëria shqiptare e shikon korrupsionin në mënyrë jetese, dhe një faktor që e nxit është edhe varfëria.
Lidhur me amnistinë fiskale, Milo shprehet se nisma nuk tolerohet nga ndërkombëtarët, duke shtuar se në një farë mënyre “amniston hajdutërinë”.
Progres raportet janë një veprim i përvitshëm i KE që vlerëson ecurinë e vendeve kandidate për anëtar në BE, prandaj quhet raport progresi. Ka edhe vlerësime pozitive, ku vlerëson ecurinë e procesit, por ka edhe një skanim të çështjeve që s’kanë ecur, nuk janë realizuar dhe që tërhiqet vëmendja e qeverive. Në të gjitha progres raportet që unë mbaj mend këtu e 20 vjet, ato në momente të caktuara kanë vënë pikat mbi i, por shpesh për shkak të traditës dhe inercisë ato nuk përfaqësojnë element të ri, veçse përsërisin çka kanë qenë një vit më para. Lufta kundër korrupsionit është një fenomen gangrenë i Shqipërisë, sepse vazhdimisht flitet, e nënvizohet, por ai mbetet fenomen. Për sa kohë fenomeni të korrupsionit nuk i priten rrënjët, ai do prodhojë dhe riprodhojë fenomenin. Rrënjët janë shumë të thella në shoqërinë shqiptare, institucionet politikbërëse, vendimmarrëse të administratës. Është një fenomen tipik i vendeve si Shqipëria ku institucionet nuk funksionojnë, vendimet dhe ligjet nuk zbatohen. Puna është çfarë masash merren që rrënjët e tij të zhduken. Politika nuk është përgjegjëse për gjithçka dhe nuk mund të bëjë gjithçka. Shoqëria shqiptare ka shumë aktorë, publik dhe privat. Sado ligje të forta të kesh sektori privat ka logjikën e vet, instrumentet e vet. Sa i përket administratës ku është burimi kryesor i korrupsionit, më i prekshmi, më i dukshmi, aty po, varët nga sa qeveria është e angazhuar për ta luftuar korrupsionit. Është shoqëria shqiptare, kultura e saj e ulët që e percepton korrupsionin si mënyrë jetese, si një instrument që e përdor kur e sheh që nuk i zgjidh problemet në bazë të ligjit ose të drejtë. Korrupsioni është produkt i një shoqërie të prapambetur, të varfër. Kur shikon një të varfër që kërkon borxh që t’ia japë nëpunësit publik, që në bazë të ligjit duhet t’ia bënte falas, këtu kemi të bëjmë me një fenomen masiv, për shkak të varfërisë. Korrupsioni mbetet një fenomen nga i cili Shqipëria vështirë se do mund të çlirohet për vite të tëra”.
I pyetur mbi amnistinë fiskale dhe reagimin e faktorëve ndërkombëtarë, Milo tha:
Ky është një problem shumë i mprehtë. E kam ndjekur me vëmendje reagimin e FMN-së, të BB, të SHBA-ve dhe BE-së. Është një fenomen që ata nuk e tolerojnë për shkak se e dinë që nëse ndodh një gjë e tillë, kjo inkurajon pastrimin e parave të pista. Inkurajon një grup njerëzish që merren me këtë zanat, të vazhdojnë të inkurajohen, në vend që të luftohet, të ndërprirtet. U thuhet vazhdoni të vidhni, të bëni punë ilegale, sepse një ditë do legalizohen këto përfitime të paligjshme. Amniston hajdutërinë”.
Lidhur me politikën e jashtme të Shqipërisë, ku ka pasur kritika në raportet e vendit tonë me Turqinë, Milo tha se partneritetin dhe vasalitetin një vijë e hollë e ndan. Ai shtoi se duhet gjetur ekuilibër në politikën e jashtme, duke sjellë në vëmendje që Ankaraja ka probleme me SHBA-të dhe BE-në.
Vendet e vogla përgjithësisht kanë një lloj varësie nga fuqitë e mëdha. Duam s’duam ta pranojmë ky është realiteti. Marrëdhëniet tona me SHBA-të janë marrëdhënie partneriteti, por ka raste kur i dëgjojmë miqtë. Pse, sepse është në interesin e vendit tonë të kemi miq dhe të na përkrahin. Por midis partneritetit dhe vasalititetit një vijë e hollë të ndan. Duhet që të mos ta shkelin këtë vijë, të mos ta bëjnë rrugë. Për sa kohë që Shqipëria kë një orientim strategjik me SHBA-të ose BE-në, një orientim tjetër me një vend si Turqia duhet të ruajë disa ekuilibra në politikën e jashtme. Turqia ka probleme me SHBA-të dhe me BE-në. Ne me kë do shkojmë, me BE-në, apo do t’i bëjmë karshillëk përmes një marrëdhënie me Turqinë, e cila nuk është transparente. Në politikën e jashtme aftësia është të gjesh ekuilibrin për të zgjidhur problemet”.



