Ish-kandidati për kryetar i Partisë Demokratike, Ibsen Elezi, i ftuar në studion e lajmeve në MCN TV, ka folur për situatën brenda PD-së, garën për drejtimin e saj dhe përjashtimet nga radhët e partisë.
Elezi u shpreh kritik ndaj mënyrës se si po zhvillohet debati politik brenda forcës më të madhe opozitare, duke theksuar se përballja me Sali Berishën nuk mund të bëhet përmes rrugëve formale apo gjyqësore.
E vetmja rrugë për t’u përballur me Berishën është të ofrosh një model të ri dhe ndryshëm politik nga ai. Nuk është çështje gjykatash, sepse edhe nëse ta japin vulën, ajo nuk ka vlerë. Rruga e gjykatave është e dështuar.
Ai shtoi se përballja duhet të bëhet përmes votës dhe alternativës politike, duke vlerësuar disa figura brenda PD-së që, sipas tij, po ndjekin këtë qasje.
Me Berishën duhet të përballesh me votë. Nuk mund ta mundësh me njerëz që nuk kanë profil dhe besueshmëri.
Duke folur për zhvillimet e brendshme në parti, Elezi deklaroi se PD po përjeton një tkurrje dhe mungesë të garës reale politike.
PD po tkurret dhe nuk ka garë politike. Nuk është e vështirë të kuptosh që palët janë të lidhura dhe kanë interesa të përbashkëta.
Në vijim, Elezi hodhi akuza të forta për sistemin politik në vend, duke e cilësuar atë si të kapur nga interesa të përbashkëta.
Rama dhe Berisha janë tentakulat e një sistemi mafioz. Të flasësh për kod moral për këta është pa vlerë.
Sipas tij, Partia Demokratike është bërë pjesë e oligarkisë politike dhe ka nevojë për një qasje të re, të bazuar te individë me integritet dhe profil të qartë publik.



