Llogaria personale e Robert F. Kenedy Jr. në Instagram u rivendos gjatë fundjavës, pasi demokrati që kërkon të sfidojë Presidentin Joe Biden në zgjedhjet paraprake të partisë u ankua se platforma nuk do ta lejonte atë të hapte një profil fushate.
“Meqenëse ai është tani një kandidat aktiv për president të Shteteve të Bashkuara, ne kemi rikthyer aksesin në llogarinë e Instagramit të Robert F. Kennedy Jr.”, tha në një deklaratë zëdhënësi i Meta, Andy Stone.
Të enjten, Kennedy postoi në Twitter se Meta, që zotëron gjithashtu Facebook dhe WhatsApp, bllokoi fushatën e tij nga regjistrimi i një llogarie, duke iu përgjigjur me një mesazh të automatizuar se kjo shkelte “Udhëzimet e Komunitetit për integritetin e llogarisë dhe identitetin autentik”. Ai vuri në dukje se profili i tij personal, "i ndaluar vite më parë", nuk ishte rikthyer ende.
“Të heshtësh një kandidat të madh politik është thellësisht jodemokratike. Mediat sociale janë ekuivalenti modern i sheshit të qytetit. Si mund të funksionojë demokracia nëse vetëm disa kandidatë kanë akses në të?” shtoi ai.



