Komisioni hetimor i ngritur për përdorimin e pajisjes IMSI CATCHER nga Ministria e Brendshme ka nisur mbledhjen e parë. Në nisje të saj, kryetari i komisionit, deputeti demokrat, Flamur Noka, tha se me futjen e kësaj pajisjeje përgjimi nga autoritetet tona është cenuar rëndë siguria kombëtare.
Noka tha se kjo pajisje mund të jetë përdorur për përgjimin e shumë prej drejtuesve të vendit, politikanë apo biznesmenë.
Ndërsa nënkryetari socialist i komisionit, deputeti Pjerin Ndreu, tha se gjithçka qëndron në fazën e dyshimeve dhe nuk ka ende asgjë të provuar.
Noka: Në fund nga ana jonë ka rezultuar se është kjo pajisje, mund dhe të jetë përdorur për të përgjuar drejtues shteti, deputetë, politikanë, diplomatë, prokriorë, gjyqtarë, gazetarë, biznesmenë. Nga informacionet që opozita ka disponuar dhe disponon, rezulton se mund të ketë ndërhyrje disa herë në segmentin e aparatit fundor antenë ligjore të pajisjes, çka nënkupton se aparatë celularë të ndryshëm mund të kenë qenë nën administrimin e kësaj pajisje.
Është përdorur jo thjesht për praktikë, por për efekte të punës së përgjimit dhe monitorimit. Mjeti sëbashku me pajisjen e montuar ka lëvizur nga një specialist shqiptar i policisë shqiptare në disa pika të territorit të Tiranës dhe vendit. Ka dokumenta që është futur në disa institucione. Mund të ketë kryer dhe ka kryer veprime të pautorizuara dhe pa asnjë urdhër të Prokurorisë së Përgjithshme.
Pajisja nuk ësktë përdorur vetëm nga oficerët italianë të Interforcës për trajnime. Është përdorur nga punonjës të policisë shqiptare pa praninë e oficerëve dhe autoriteteve italiane.Të gjitha këto fakte dhe prova në dhunim flagrant të Kushtetutës, ligjit, lirive dhe të drejtave të njeriut.Nga ana e autoriteteve tona me futjen dhe përdorimin e kësaj pajisje është kryer krim.Në gjykimin tonë është cënuar rëndë siguria kombëtare”.
Ndreu: Ne sot jemi në fazën e dyshimeve të arsyeshme. Nuk kemi provuar asgjë. Jemi në fazën e dyshimeve. Termat duhet të ndryshohen dhe të bëhen: Dyshohet se… Nëse ti ke fakte, ne akoma nuk jemi të bindur. Për këtë histori ka një hetim, duhet t’i drejtohemi me një shkresë Prokurorisë deri në ç’fazë janë hetimet dhe sa na lejohet ne që disa nga personat që keni shkruar për ti thirrur këtu, dhe të thirren nga Komisioni Hetimor se mos gjatë pyetjes ne nxjerrim sekret hetimor dhe dëmtojmë rëndë hetimet, duhet të jemi në harmoni.
Noka: Si opozitë ne i kemi të dokumentuara. Ne do të shohim nëse do vërtetohen këto që themi ne.
