Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken duke folur nga Tel Avivi tha se u kthye në Izrael për t'u angazhuar në "diplomaci intensive me partnerët" për t'u siguruar që një sulm si ai i Hamasit më 7 tetor të mos ndodhë më kurrë.
Kryediplomati amerikan thotë se duhet të ndërmerren një sërë hapash të rëndësishëm për ta bërë këtë të mundur, duke përfshirë parandalimin e përshkallëzimit të konfliktit dhe përhapjen në zona të tjera në rajon.
Së dyti, ai thotë se duhet bërë më shumë për të mbrojtur civilët palestinezë dhe se ka rëndësi natyra e mënyrës se si Izraeli kryen fushatën e tij për të mposhtur Hamasin.
Blinken thotë se civilët nuk duhet të vuajnë pasojat e brutalitetit të Hamasit. Ai shton se fluksi i qëndrueshëm i ndihmës humanitare në Gaza duhet të rritet.



