SHBA ka reaguar pas miratimit të marrëveshjes së 5 qershorit nga Kuvendi. Me anë të një postimi, Ambasada Amerikane në Tiranë shprehet si miratimi i kësaj marrëveshjeje e çon vendin një hap tjetër drejt BE-së.
“Shtetet e Bashkuara mirëpresin miratimin nga Parlamenti të legjislacionit për reformën zgjedhore që kodifikon marrëveshjen e 5 qershorit të Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore. Ky akt respekton marrëveshjen e bërë nga të gjitha partitë dhe e çon Shqipërinë një hap tjetër përpara drejt Bashkimit Evropian. Përgëzojmë të gjitha partitë që u siguruan që marrëveshja e 5 qershorit u arrit, u respektua, dhe u zbatua në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe transparente. Kjo mënyrë gjithëpërfshirëse dhe transparente duhet të jetë një normë për ndërmarrjen e akteve të rëndësishme kombëtare”, thuhet në reagim.
Ambasada thekson rëndësinë e bashkëpunimit të mëtejshëm të palëve në Këshillin Politik, i cili do të mblidhet sërish sot pasdite, në praninë e opozitës jashtëparlamentare.
“Në këtë drejtim, mirëpresim vendimin për rithirrjen e Këshillit Politik për të diskutuar reforma të mëtejshme zgjedhore. Të gjitha palët duhet të marrin pjesë në mirëbesim; të shpjegojnë pozicionet e tyre qartë dhe plotësisht njëri-tjetrit dhe popullit shqiptar; dhe të kërkojnë një zgjidhje që është në të mirën e të gjithë popullit shqiptar dhe vazhdon ta çojë vendin përpara në rrugën e tij demokratike”, thuhet më tej.
OSBE: Si me çdo reformë tjetër, zbatimi është kyç
Edhe OSBE-ja e cilëson një hap përpara miratimin e kësaj marrëveshjeje dhe e vë theksin te zbatimi i saj në mënyrë korrekte. Në reagim u bëhet thirrje palëve të vijojnë dialogun.
“Mirëpresim miratimin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, sot, në Kuvendin e Shqipërisë, në përputhje me marrëveshjen që palët arritën më 5 qershor dhe mbështetur në rekomandimet e OSBE/ODIHR-it. Si me çdo reformë tjetër, zbatimi është kyç. Ne mbetemi të gatshëm t’i ndihmojmë autoritetet shqiptare në këtë rrugë, si edhe për zhvillimin e hapave të tjerë të reformës. U bëjmë thirrje të gjitha palëve të vijojnë dialogun për reforma të mëtejshme”, thuhet në reagim.
BE: Njohim rolin e Parlamentit për ndryshimet kushtetuese
Zyra e Bashkimit Europian në Tiranë reagoi përmes ambasadorit Luigi Soreca. BE përshëndet miratimin e marrëveshjes, ndërsa shton se nxit palët për miratimin e ndryshimeve shtesë, të cilat kundërshtohen nga opozita jashtëparlamentare. Lidhur me këto ndryshime, BE thekson se njeh rolin e Parlamentit në propozimin e tyre dhe nxit përfshirjen e të gjitha palëve në diskutimet në Këshillin Politik.
"BE mirëpret miratimin nga Parlamenti të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, në përputhje me marrëveshjen politike të arritur më 5 qershor. Kjo përmbush një nga kushtet kryesore për të filluar negociatat e anëtarësimit në BE, siç thuhet në konkluzionet e Këshillit të 25 marsit 2020. Dispozitat e reja legjislative do t'i japin Shqipërisë një kuadër zgjedhor me integritet dhe standarde transparence më të larta, bazuar në rekomandimet e OSBE / ODIHR-it. Ne jemi në dijeni të propozimeve shtesë për reformën e sistemit zgjedhor. Ndërkohë që njohim rolin e Parlamentit në paraqitjen e ndryshimeve shtesë në lidhje me sistemin zgjedhor, ne nxisim të gjitha palët të vazhdojnë diskutimet në Këshillin Politik me të njëjtën frymë gjithëpërfshirëse dhe bashkëpunuese të treguar gjatë miratimit të marrëveshjes politike të 5 qershorit. Procesi që çon në ndryshimet shtesë nuk duhet të dëmtojë frymën dhe rezultatet e marrëveshjes së 5 qershorit", thuhet në reagim.



