Emisioni “Xhadat” denoncon derdhjen e ujërave të zeza të fshatit Lin në liqenin e Ohrit.
Fshatit turistik Lin i cili mbrohet nga “UNESCO” dhe është pjesë e listës së 100 fshatrave ku qeveria Rama premtoi investime për t’i kthyer në pika turistike, prej vitesh i mungon sistemi i kanalizimeve të ujërave të zeza.
Shumica e shtëpive të fshatit i derdhin këto ujëra drejt e në liqenin e Ohrit. Banorët thonë se ndihen të turpëruar nga situata, e cila ka mbetur e njëjtë që pas viteve 90.
Këto ujëra ndikojnë negativisht edhe tek turistët vendas dhe ata të huaj, të cilët pasi hasen me pamjet dhe aromën e keqe largohen të zhgënjyer. Këto ujëra ndikojnë gjithashtu negativisht në florën dhe faunën e liqenit dhe sidomos në pakësimin e peshkut për të cilin njihet më së shumti ky liqen, koranin.
E pyetur në lidhje me problemin, Bashkia Pogradec tha se ka një projekt për rregullimin e sistemit të ujërave të zeza që nuk ka nisur ende, dhe deri kur të nisë banorëve u këshillohet të hapin gropa septike dhe mos t’i derdhin ujërat e zeza në liqen.



