Flluska e ndërtimit/ Kaprata: Kemi dalë nga tregu real. Lahi: Ndërtimi jo imun nga paratë e pista. Haçkaj: Kërkesa për blerje në rritje

Flluska e ndërtimit/ Kaprata: Kemi dalë nga tregu real. Lahi: Ndërtimi jo imun nga paratë e pista. Haçkaj: Kërkesa për blerje në rritje

Tregu i apartamenteve dhe shqetësimet për ecurinë e sektorit të ndërtimit u vendosën në qendër të diskutimit në MCN Economy, ku tre profesionistë të fushës sollën analiza të ndryshme mbi çmimet, kërkesën për banesa, financimet bankare dhe rrezikun e krijimit të një flluske në tregun imobiliar.

 

Urbanisti Gentian Kaprata, zhvilluesi i pasurive të paluajtshme Rrezart Lahi dhe agjenti imobiliar Fisnik Haçkaj analizuan situatën e tregut, duke u ndalur edhe te shqetësimet e ngritura nga bankat e nivelit të dytë dhe kompania e vlerësimit të riskut Moody’s.

 

Kaprata shprehu një qëndrim më kritik, duke argumentuar se ndërtimi ka tejkaluar prej kohësh nevojën reale për banesa dhe se sektori po largohet nga funksionimi normal i tregut.

 

Shkon në ndërtim diku te 4 miliardë euro në vit nga leximet e mia dhe kjo shumë po zhvendoset shumë, sepse e kemi parasysh që bujqësia vazhdon rënien, kemi mungesë investimesh dhe rënie prodhimesh, ndërkohë që edhe turizmi ka nevojë për kapital. Pra, këto janë dy shtylla kryesore, ndërsa ndërtimtaria e banesës e ka tejkaluar prej vitesh nevojën për financime. Unë që në vitin 2010 kam bërë thirrje se e kemi kaluar nevojën për banesë të re, sepse kishte një kuptim që në vitet e para të ndërtohej masivisht për një strehim më normal, por më pas, pas viteve 2000, kemi pasur një zhvillim të pandërprerë dhe kanë hyrë disa valë që parashikonin një spekulim potencial, nga spekulimi në gropë, kleringu, përqindja dhe shumë elementë të tjerë, të cilët, duke qenë se nuk ishin të paracaktuar, ndërtuesi nuk llogariste dot saktë sasinë e apartamenteve që do t’i afrohej tregut. Për mua, që atëherë është e qartë që kemi të bëjmë me një dalje të plotë nga tregu real, pra jemi plotësisht në një flluskë dhe ka dyshime të forta për pastrim të parave në sektorin e ndërtimit.

 

Nga ana tjetër, zhvilluesi i pasurive të paluajtshme Rrezart Lahi e sheh situatën nga një këndvështrim tjetër, duke vënë theksin te kërkesa për strehim, fuqia financiare e investitorëve dhe ndryshimet që kanë ardhur si pasojë e forcimit të lekut.

 

Po investohet më shumë në pjesën e ngrohjes dhe ftohjes, ndërsa e para duhet parë kërkesa për strehim dhe fuqia kapitale, e cila akoma ka energji për t’u hedhur në zhvillimin rezidencial. E rëndësishme është të kuptojmë se në të gjithë këtë proces ka njerëz që blejnë edhe për të investuar, sepse ka pasur vazhdimisht rritje dhe në vetvete kemi pasur rritje edhe për shkak të forcimit të lekut. Rreth 30% e rritjes së banesave është për shkak të forcimit të lekut. Prandaj parashikimin nuk mund ta bëjë askush me siguri. Problematikat më të mëdha janë kur bankat janë të pakujdesshme në dhënien e kredive, pa i mbuluar ato me kolateral. Njerëzit nuk kanë nevojë vetëm të fusin kokën në një apartament, por duhet të krijojnë hapësira të ndryshme biznesi dhe ekonomike, ndaj patjetër që zhvillimi duhet të bëhet mbi një plan urbanistik. Në këtë prizëm, pavarësisht se sa më shumë ndërtimi mund të më sjellë mua si zhvillues, ajo që më duhet është një ndërtim i qëndrueshëm i këtij sektori.

 

Ai u ndal edhe te burimet e kërkesës për apartamente, duke përmendur blerësit vendas, sipërmarrësit dhe diasporën, ndërsa për praninë e parave me origjinë kriminale në treg argumentoi se ky fenomen nuk mund të konsiderohet si baza e gjithë zhvillimit të sektorit.

 

Së pari kanë blerës biznesmenë, sipërmarrës që kanë dashur shtëpi në Tiranë dhe diku tjetër, apo njerëz nga diaspora, të cilët thonë se në vend që t’i investojnë paratë në Gjermani, më mirë t’i kenë aty. Ka mënyra financimi, ka edhe para kriminale, si kudo dhe në sektorë të tjerë, por nuk është baza e kësaj gjëje. Në vetvete, nuk mund të hedhim vetëm këtë tezë për ta shpjeguar tregun. Për t’i pastruar paratë këtu jemi një shtet që synon luftën ndaj pastrimit të parave, por ideja është që në fund ajo që është e rëndësishme është të kuptohet se nga vijnë këto para.

 

Ndërkohë, agjenti i pasurive të paluajtshme Fisnik Haçkaj nuk sheh aktualisht elementët që, sipas tij, do të tregonin krijimin e një flluske në treg. Ai argumentoi se pavarësisht rritjes së fortë të çmimeve dhe kërkesës, tregu po shkon drejt një faze më të balancuar dhe blerësit janë bërë më selektivë.

 

Si profesionist i fushës, nuk kemi tipare fare të flluskës, sepse nuk ka arsye të shkojmë në flluskë për momentin. Vijmë nga një rritje gjigante e momentit dhe prapë kemi rritje çmimesh dhe rritje të kërkesave për blerje. Kemi ulje të stokut të pronave të pashitura, financimet vijojnë dhe nuk ka asnjë arsye që të na çojë te flluska. Kemi kërkesë të madhe për blerje, sepse janë vendasit, diaspora ka shumë blerës, por tregu po shkon drejt një blerësi më selektiv. Blerësit janë aty dhe po shkojmë drejt një balancimi. Është zgjatur koha e shitjes së një prone dhe blerjes së një prone, duke shkuar rreth 9.7 deri në 10 muaj për të blerë një pronë. Pra, blerësit nuk janë më aq emocionalë, por shohin cilësinë e ndërtimit, urbanistikën dhe shumë faktorë të tjerë përpara se të blejnë. Jemi duke shkuar drejt një balancimi të tregut, kemi kërkesë shumë të lartë dhe një treg pronash që po shkon drejt balancimit.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy