Pas pesë orësh rezistencë/ Ekzekutohet nga RENEA 71-vjeçari në Elbasan (VIDEO)

Pas pesë orësh rezistencë/ Ekzekutohet nga RENEA 71-vjeçari në Elbasan (VIDEO)

Ka përfunduar me tragjedi, pas përreth pesë orë ngjarja në Elbasan, ku raportohet se 71-vjeçari i cili hapi zjarr ndaj policisë dhe plagosi dy persona është ekzekutuar tashmë nga forcat RENEA.

Në momentin e ndërhyrjes së forcave speciale, Lefter Zhidro i është kundërpërgjigjur me zjarr RENEA-s dhe pas disa minutash shkëmbimi zjarri e hedhjes së bombave tymuese, 71 vjeçari është qëlluar për vdekje nga ana e policisë.

Ndërkohë Policia e Elbasanit ka dalë me njoftim zyrtar lidhur me gjithë dinamikën e situatës që përfundoi me ekzekutimin e 71-vjeçarit Lefter Zhidru.

Njoftimi

“Pas 5 orë negociatash, fillimisht nga Policia Vendore e Elbasanit dhe më pas nga grupi negociator i Renas dhe i grupeve taktike të Reneas me shtetasin Lefter Zhidru, për t’u dorëzuar, ky shtetas nuk i është bindur në asnjë çast thirrjeve të Policisë për t’u dorëzuar, por ka reaguar me armë ndaj grupit negociator dhe grupeve taktike të Reneas që po negocionin me të. Ndodhur në kushtet e mosbindjes për t’u dorëzuar, forcat speciale Renea kanë ngushtuar rrethimin e banesës ku ndodhej 71-vjeçari.

Shtetasi Lefter Zhidru, kur ka parë që forcat Renea po i afroheshin derës së banesës, ka hapur përsëri zjarr në drejtim të Policisë.

Në kushte të larta sigurie për jetën e punonjësve të Policisë, Renea i ka bërë përsëri thirrje për të hapur derën dhe t’i dorëzohej Policisë, por përsëri 71-vjeçari ka reaguar me armë dhe në këto kushte Renea ka shpërthyer derën për të hyrë në banesë.

Në momentin që forcat speciale Renea po ndërhynin në banesë 71-vjeçari ka sulmuar përsëri me breshëri plumbash Forcat Renea duke rrezikuar seriozisht jetën e tyre, por falë mburojës metalike kolektive nuk është lënduar ansjë punonjës i Reneas.

Në kushtet e vetëmbrojtjes forcat speciale Renea i janë kundërpërgjigjur më zjarr dhe gjatë shkëmbimit të zjarrit, 71-vjeçari ka mbetur i vrarë” njofton Policia.

Grupi Hetimor, nën drejtimin e prokurorit, ndodhet në vendngjarje dhe në banesën e 71-vjeçarit ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë zjarri kallashnikov, një sasi të konsiderueshme municioni luftarak dhe disa kallëpe me lëndë plasëse të montuara me kapsolla detonatore gati për shpërthim.

17.10h- RENEA ndërhyn për kapjen e 71-vjeçarit që terrorizoi Elbasanin/ Në vendngjarje edhe Ardi Veliu

Të tjera detaje kanë dalë në dritë në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur sot pasdite në Elbasan, ku 71 vjeçari ende po i bën rezistencë forcave speciale RENEA dhe nuk pranon të dorëzohet.

Gjithçka ka nisur nga një sherr i çastit mes të moshuarit dhe ish gruas së tij. Ngjarja e treguar sipas fqinjëve ka nisur kur i moshuari i ka kërkuar llogari ish gruas se ku kishte shkuar. Gjatë debatit i moshuari ka shkuar të marrë armën e zjarrit për të vrarë ish gruan. Kjo e fundit e ka kuptuar situatën dhe së bashku me të bijën 14 vjeçare, është larguar menjëherë nga banesa dhe ka njoftuar policinë.

E trembur për jetën e saj, e moshuara ka njoftuar Policinë e zonës, e cila ka shkuar në vendngjarje. Teksa Zhidru qëllonte në ballkon, efektivët ishin ngjitur një kat më lart për të pasur mundësi që të neutralizonin agresorin. Megjithatë të shtënat kanë zgjatur për më shumë se 30 minuta dhe nga plumbat e lëshuar janë plagosur dy kalimtarët të rastit: L. Saraçi 22 vjeç dhe A.Konaxhiu, 21 vjeç. Të dy ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë efektivët e zonës, forcat FNSH, “Shqiponja” dhe RENEA kanë mbërritur në vendngjarja dhe po negociojnë me agresorin që të dorëzohet. Gjithashtu edhe e bija po negocion me anë të telefonit me babanë e saj, duke i kërkuar që të dorëzohet tek autoritetet.

Në vendngjarje, përveç efektivëve, kanë shkuar edhe drejtuesit më të lartë të Policisë në vend. Fillimisht pranë efektivëve kanë shkuar drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale Tonin Vocaj bashkë me shefin për Krimet e Rënda, Arben Dashi, si dhe kreun e prokurorisë Tiranë, Kreshnik Ajazi. Atyre u është bashkuar edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy