
Flugerta Bushi, një shqiptare që prej 11 vitesh jeton në Londër, ishte e ftuar në programin e mëngjesit “Zgjohu me MCN”, ku rrëfeu historinë e saj personale se si vendosi të përqafojë Islamin dhe të mbulohet me hijab.
Ajo tregoi se një nga momentet që e bëri të reflektonte më thellë mbi fenë ishte diçka krejt e papritur, një bletë, të cilën e konsideron si “sebepin” që i ndryshoi jetën.
Një bletë më fiksoi shumë. Më pas pashë një video që më bëri shumë përshtypje dhe rastësisht universiteti që zgjodha kishte edhe koshere bletësh.
Aty fillova të interesohem më shumë për to dhe për fenë.
Unë u habita kur mësova se bletët përmenden edhe në Kuran dhe madje kanë një sure të veçantë.
Bletët kanë një sure të tyre në Kuran dhe kjo më bëri shumë përshtypje, sepse lidhej edhe me disa fakte shkencore. Ishte diçka që më shtyu të reflektoj më shumë.
Islami ishte i pranishëm edhe në familjen time, pasi motra ime ishte mbuluar më herët. Megjithatë, në fillim vetë nuk isha plotësisht e bindur.
Kur motra ime e madhe u mbulua, e gjithë familja u shokua. Unë e respektoja vendimin e saj, por ende nuk isha gati ta pranoja për veten time. Kisha nevojë të bindesha në mënyrën time.
Flugerta jeton prej 11 vitesh në Londër, ku fillimisht shkoi për studime. Ajo tregon se në vitet e para të universitetit nuk mbante shami dhe kishte një rreth të gjerë shoqëror.
Gjatë vitit të parë të shkollës isha pa shami dhe kisha shumë shoqëri. Por pasi fillova të falem, ndjeva se nuk po e gjeja më veten me të njëjtët persona.
Vendimi për t’u mbuluar erdhi në mënyrë spontane.
Një mëngjes u zgjova dhe thashë: sot do të mbulohem. Dhe kështu ndodhi. Vendosa shaminë në vitin e dytë të studimeve.
Edhe bashkëshorti im është gjithashtu praktikant i fesë dhe se të dy e mbështesim njëri-tjetrin në rrugëtimin tonë shpirtëror.
Sipas Flugertës, jeta e saj ka ndryshuar plotësisht që nga momenti kur vendosi të mbulohej dhe të përqafojë më thellë Islamin.
Që kur jam mbuluar, jeta ime ka ndryshuar 180 gradë.
Më parë nuk e ndjeja jetën time shumë kuptimplotë. Tani ndihem sikur pjesët e ‘puzzle’-it janë vendosur në vendin e duhur, që kur përqafova Islamin.



