Ministrat e Jashtëm të Francës dhe Gjermanisë do të takojnë liderin de fakto të Sirisë, Ahmed al-Sharaa, në Damask në vizitën e nivelit më të lartë nga fuqitë e mëdha perëndimore që kur rebelët përmbysën regjimin e presidentit Bashar al-Assad muajin e kaluar.
Jean-Noel Barrot dhe Annalena Baerbock, të cilët mbërritën veçmas në kryeqytetin sirian të premten, do të zhvillojnë bisedime me kreun e grupit islamik Hayat Tahrir al-Sham (HTS) në emër të Bashkimit Europian, njoftuan ministritë e dy vendeve.
Diplomatët vizituan kompleksin famëkeq të burgut Sednaya të Sirisë në mëngjes dhe planifikojnë që të takojnë përfaqësues të shoqërisë civile siriane, ndërsa aleatët perëndimorë hapin me kujdes kanalet me sundimtarët e rinj të Sirisë pas 13 vitesh lufte civile.
Baerbock tha: “Udhëtimi im sot së bashku me homologun tim francez dhe në emër të BE-së, është një sinjal i qartë për sirianët: një fillim i ri politik midis Evropës dhe Sirisë, midis Gjermanisë dhe Sirisë, është i mundur.”

Baerbock u kërkoi drejtuesve të rinj të Sirisë që të shmangin çdo akt hakmarrjeje kundër grupeve brenda popullsisë, për të shmangur vonesën përpara mbajtjes së zgjedhjeve dhe për të shmangur përpjekjet për të islamizuar sistemin gjyqësor dhe arsimor.
Në një postim në mediat sociale, Barrot tha se dy vendet e Bashkimit Europian “qëndrojnë së bashku përkrah popullit sirian në të gjithë diversitetin e tyre” dhe duan një tranzicion paqësor.
Në Damask, ai shprehu dëshirën për një Siri sovrane, të qëndrueshme dhe paqësore.
HTS, një grup mysliman sunit i lidhur më parë me Al-Kaedën dhe Shtetin Islamik, cilësohet ende si organizatë terroriste nga shumë qeveri, por ka siguruar komunitetin ndërkombëtar se synon të qeverisë në emër të të gjithë sirianëve.
Duke udhëhequr ofensivën që përmbysi sundimin brutal të familjes Asad, figurat e larta të grupit, të cilët dominojnë autoritetet e përkohshme të Sirisë, përballen me detyrën e rindërtimit të institucioneve shtetërore të shkatërruara të vendit.
Pyetjet kryesore mbeten nëse të drejtat e pakicave në shoqërinë shumetnike të Sirisë do të garantohen siç duhet, si dhe mbi ndikimin e vazhdueshëm të huaj në një vend ku shtetet, përfshirë Turqinë dhe Rusinë, kanë interesa të forta dhe konkurruese.
Burimet diplomatike franceze thanë se Barrot vizitoi ambasadën franceze, e cila është mbyllur që nga viti 2012. Ai takoi stafin sirian që ruante objektet dhe ripohoi nevojën për të punuar drejt rivendosjes së përfaqësimit diplomatik.



