Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha gjatë një takimi në Kurbin se demokratët janë të gatshëm të mirëpresin çdo forcë politike dhe çdo shqiptar që qëndron dhe lufton kundër krimit, drogës, inkriminimit. Basha tha se shumica e shqiptarëve janë me demokratët.
“Droga është mallkim, është skllavërim, është ankth, është vrasje, është plagosje, varfërim. Nuk mund të kthehet në model trafikanti për fëmijët e shqiptarëve, nuk mund të lejojmë të kthehet në model. Nuk mund të lejojmë që në klasat e fëmijëve tanë të digjet hashash e të drogohen, e të helmohen siç ndodhi para një jave në Paskuqan apo në Fushë –Krujë. Ne nuk mund ta lejojmë kurrë dhe nuk do ta lejojmë kurrë. Për këtë na duhet një bashkim i madh. Shumica e shqiptarëve janë me ne. E izoluar dhe më e pakët se kurrë në numër është banda që kemi përballë”, tha ai.
Kreu i PD-së tha se vendit do t’I jepet mundësia e zgjedhjeve të lira e të ndershme.
“Kundër një qeverisje që është bërë njësh me mafien dhe një mafie që është bërë njësh me qeverisjen; Në një vend ku nuk dihet ku fillon qeveria e ku mbaron krimi, ku mbaron policia e ku fillon krimi; Në betejën për zgjedhje të lira e të ndershme, në betejën për të larguar njeriun që ka keqqeverisur në dimensionet më të zeza që ka njohur ndonjëherë Ballkani, Edi Rama dhe shpurën e tij; Ne jemi të gatshëm, të hapur për bashkëpunimin, për kontributin e gjithsekujt, për ti dhënë vendit atë që meriton zgjedhje të lira dhe të ndershme, mundësinë për të ecur përpara përmes punës së ndershme dhe përfaqësimit me bijtë dhe bijat tuaja më të mira”, tha ai.



