Policia e Shtetit del me deklaratë lidhur me operacionin e zhvilluar në Postën e Durrësit, ku u arrestua drejtuesja e institucionit të saj dhe dy vartëse të saj për përvetësimin e fondeve të pensioneve dhe ndihmës ekonomike.
Të dyshuarat akuzohen se nuk arkëtuan në arkën e degëve Shijak dhe Krujë, shumën 69 milionë lekë të rinj të rinj, të destinuar për shpërndarjen e pensioneve dhe ndihmave sociale.
Në kuadër të operacionit të koduar “Filiali” u arrestua Elisabeta Mataj, 41 vjeçe, banuese në Durrës, me detyrë drejtoreshë e filialit të Postës Shqiptare Durrës.
Në pranga përfundoi edhe Valbona Duni, 59 vjeçe, banuese në Durrës, me detyrë shefe e financës në filialin e Postës Shqiptare Durrës dhe Paola Dana, 39 vjeçe, banuese në Durrës, me detyrë arkëtare/llogaritare në filialin e Postës Shqiptare Durrës.
Ndalimi i tyre u bë në funksion të procedimit penal të regjistruar nga Prokuroria, për veprat “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën”, të kryera në bashkëpunim.
Nga hetimet dyshohet se, gjatë muajve prill dhe maj 2026, tre të dyshuarat kanë përvetësuar shumën 69 milionë lekë të rinj, e cila ishte planifikuar të arkëtohej nga filiali i Postës Shqiptare Durrës, për degët Shijak dhe Krujë, me qëllim shpërndarjen e pensioneve dhe ndihmave sociale për qytetarët e këtyre zonave.
Hetimet vijojnë për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë ligjore, të shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë veprimtari kriminale, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë Durrës për ndjekje të mëtejshme.



