
Në studion e programit të mëngjesit “Zgjohu me MCN” u përcoll historia frymëzuese e Denis Citozit, i cili nga një diagnozë e rëndë me tumor në kokë arriti të rikthehet në një jetë aktive dhe sot punon si trajner personal.
Citozi rrëfeu rrugëtimin e tij të vështirë nga momenti i sëmundjes deri te rikuperimi, duke theksuar se sporti dhe një stil jetese i shëndetshëm mund të shpëtojnë jetë.
Kanë kaluar tre vite nga ajo që më ndodhi dhe sot kam një jetë shumë më aktive dhe të shëndetshme.
Jam vazhdimisht nën kontroll mjekësor dhe do të jem të paktën edhe pesë vite të tjera.
Kam kaluar një tumor në kokë dhe më është dashur një periudhë e gjatë rehabilitimi.
Kam qenë gjithmonë sportist i përkushtuar, ish-kampion Shqipërie në not, dhe gjatë gjithë jetës time kam ushtruar sport, vrap në mëngjes dhe jam ushqyer shëndetshëm.
Mendoja se isha më i shëndetshëm se shumë njerëz të tjerë. Nuk kisha asnjë dhimbje koke apo shqetësim, prandaj gjithçka ishte shumë e papritur për mua.
Ngjarja ndodhi një mëngjes, kur pësova një krizë epileptike dhe humba ndjenjat. Bashkëshortja Ana dhe administratori më dërguan me urgjencë në spital. Në atë kohë jetonim në Kuvajt, ku iu nënshtrova analizave të para, por ishte një neurokirurg serb që më shpëtoi jetën, pas një rezonance magnetike me kontrast që zbuloi një tumor rreth 4–5 cm.
Kur mora vesh diagnozën, më u shemb qielli mbi kokë. Mendoja çfarë kisha bërë gabim, kur nuk pija duhan, nuk konsumoja alkool dhe bëja sport.
Sot mendoj se stresi ka qenë faktori kryesor, i akumuluar ndër vite.
Operacioni ishte i pashmangshëm dhe zgjati rreth pesë orë. Para ndërhyrjes, beteja më e madhe ishte psikologjike.
Madje shkrova edhe një letër për bashkëshorten, në rast se operacioni nuk do të shkonte mirë.
Kur u zgjova pas operacionit, mjekët më kërkuan të lëvizte dorën, ndërsa bashkëshortja i solli kitarën për ta ndihmuar në rikuperim. Pas operacionit shtova në peshë dhe mu desh kohë për t’u rikthyer në palestër, por me bindje dhe disiplinë vendosa të mos dorëzohem.
Më dukej sikur më ishte dhënë një jetë e dytë dhe doja patjetër t’ia dilja. Rikthimi në normalitet më mori rreth një vit e gjysmë. Dhimbja më e madhe ishte ajo psikologjike.
Ana, ishte mbështetja kryesore në çdo hap të këtij rrugëtimi, si një “engjëll mbrojtës”.
Prej një viti ai është rikthyer në Tiranë, ku ka nisur një kapitull të ri të jetës si trajner personal, duke promovuar jetesën e shëndetshme dhe aktivitetin fizik si çelës për një jetë më të mirë.



