Ndër shumë histori absurde që po qarkullojnë gjatë javëve të fundit, të shkaktuara kryesisht nga psikoza për koronavirusin, ekziston edhe ajo e birrës Corona, një markë e cila sot është në krizë pikërisht për shkak të epidemisë COVID-19.
Në fillim gjithçka nisi si një humor. Ishte koha kur mediat botërore kishin kthyer kokën nga Kina dhe po raportonin rreth COVID-19, ajo çfarë nxiste dozat e humorit ishte pikërisht emri i vendosur, “koronavirus” dhe lidhja që me humor njerëzit i bënin me birrën Corona.
Mirëpo, ishte pikërisht kjo dozë humori që përmes memeve dhe shakave nëpër rrjetet sociale nga e gjithë bota, sa hap dhe mbyll sytë, i dhanë shkas teorive, komploteve dhe tezave të cilat dalëngadalë filluan të shqetësojnë edhe konsumatorët e birrës, të cilët nisën të zgjedhin markat e tjera konkurrente.
Ndërsa kërkimet në Google janë rritur si asnjëherë tjetër në të gjithë botën përsa i përket lidhjeve mes “koronavirusit me birrën Corona” ose “virus-it me birrën Corona”, mësohet se Constellation Brands Inc, kompania që prodhon birrën meksikane, këtë javë ka humbur 8 për qind në bursën e re të Nju Jorkut.
Asnjë shpjegim nuk vlente nga kompania, e cila bëri një përpjekje të madhe për të shpjeguar se nuk ekziston asnjë lloj lidhjeje mes birrës dhe virusit COVID-19, i cili u përhap në Kinë në fillim të muajit dhjetor.
Por jo vetëm kaq, sipas disa kërkimeve të realizuara nga YouGov, dilte se rezultati për birrën Corona, duke marrë parasysh këtu edhe gjykimet pozitive dhe ato negative të amerikanëve, ka rënë nga 75 për qind në 51 gjatë javëve të fundit.
Për të konfirmuar një rezultat të tillë ekziston edhe një studim i realizuar nga 5W Public Relation, ku bëhet me dije se 38 për qind e konsumatorëve të birrës amerikane deklaruan që ata asnjëherë s’do të blinin një birrë Corona, deri ditën kur të mbaronte epidemia e koronavirusit.
“Nuk ka asnjë dyshim se Corona vuan nga koronavirusi COVID-19”, tha Ronn Torossian, themelues i 5WPR.
Për më tepër, sipas Torossian, 14 për qind e të anketuarve, të cilët thanë se konsumojnë rregullisht birrë Corona, pranuan që ata nuk do të porositnin më një pije të tillë në publik, kjo për shkak të drojtjes që ata kishin se mos do shqetësonin ndonjë person.
Megjithatë, 16 për qind e të anketuarve pranuan se s’janë të sigurtë nëse virusi është i lidhur me birrën Corona./ Marrë nga TPI/ TVT.al



