Rusia ka zhvilluar një test raketor kundër satelitëve, ndërkohë që Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi se raketa ruse ka goditur një satelit të këtij vendi duke e shkatërruar e duke përhapur në hapësirë mbi 1500 copëza mbetjesh.
Copëzat sipas komandës hapësinore të ushtrisë amerikane rrezikojnë të godasin stacionin hapësinor ndërkombëtar ISS por edhe raketat që dërgojnë vazhdimisht kozmonautë drejt këtij stacioni, apo satelitë të tjerë që ndodhen në hapësirë, e madje mund të bien papritur në sipërfaqen e tokës.
Kozmonautët që ndodhen pranë stacionit hapësinor ndërkombëtar, u futën për disa orë në kapsulat e sigurisë, gjatë këtij testi.
Departamenti amerikan i Shtetit e dënoi këtë test, duke kritikuar Moskën për papërgjegjshmëri. Ndërsa vetë pala ruse nuk ka bërë asnjë reagim. Teste të tilla janë kryer edhe nga Shtetet e Bashkuara në 1959-ën kur satelitët ishin një teknologji e re dhe e rrallë.



