“Forcimi i lekut është sukses për ekonominë shqiptare. Është tregues kokëfortë i rritjes së ekonomisë. Në një vend ku hyjnë çdo vit miliarda e miliarda. Të flasësh për narko e gomarllëqe të tilla mund të përkëdhelësh shumë vetë që kanë nevojë për lajme të këqija, por është pa lidhje.
A ka ekonomi informale në Shqipëri? Sigurisht që ka. Edhe para të pisët ka, por ku nuk ka? Është shumë e ligë t’ia veshësh Shqipërisë, duke qenë shqiptar, këtë lloj kostumi kaq të ndyrë. E vërteta nuk është se ka rënë euro, por është forcuar leku dhe kjo është rezultat i rritjes ekonomike”, deklaroi disa ditë më parë kryeministri Edi Rama.
Ky është një nga diskutimet më të gjata në Shqipëri vitet e fundit: kush e rrëzoi një nga monedhat më të forta në botë, euron?
Le të japim disa të dhëna se çfarë ka ndodhur në Shqipëri me kursin e këmbimit.
Shqipëria ka zgjedhur që të ketë një regjim të lirë të kursit të këmbimit. Ndryshe nga vendet e tjera të rajonit, bankat qendrore të të cilave kanë në objektiv mbajtjen e një kursi fiks, Banka e Shqipërisë ka si qëllim ruajtjen e stabilitetit të çmimeve.
Pjesa më e madhe e bankave qendrore në botë zgjedhin një nga të dyja: të kontrollojnë nivelin e inflacionit ose vlerën e monedhës. Shqipëria ka zgjedhur të parën, kjo dhe për shkak të krizës inflacioniste që përfshiu vendin gjatë viteve '90.
Kjo do të thotë se instrumentet autoriteteve tona për të ndërhyrë në tregun e këmbimit valutor janë të pakta dhe mund të bëhen vetëm nëse ndryshimet në kurs kthehen në rrezik për stabilitetin e çmimeve.
Një dekadë më parë luhatjet në kursin e këmbimit valutor në Shqipëri ishin të rralla. Vlera e monedhave reflektonte ndryshimet në tregun ndërkombëtar dhe mbiçmimi ose nënçmimi i lekut nuk kishte diferencë të lartë.
Sot forcimi i lekut është kthyer në debatin kryesor në vend për disa arsye.
A dëshmon forcimi i monedhës rritjen ekonomike të vendit gjatë viteve të fundit?
Cili është burimi i flukseve të shumta të monedhës euro në tregun vendas?
Kush ka përfituar nga kjo situatë?
Le t’i analizojmë një për një.
Nga viti 2013 deri më sot, leku është forcuar kundrejt euros nga rreth 140 lekë për 1 euro në rreth 94 lekë për 1 euro sot. Vetëm në pesë vitet e fundit, euro ka humbur rreth 25% të vlerës kundrejt lekut, ndërsa në 13 vjet euro është dobësuar me 33%.
Ekonomia shqiptare në terma realë deri në fund të vitit 2025 me 47%.
Por le të krahasojmë se çfarë ka ndodhur 3 vitet e fundit. Për periudhën janar 2023 dhjetor 2025, leku është mbiçmuar me 17.8% kundrejt euros, ndërsa ekonomia shqiptare është rritur në terma realë me 11.8 %, pra ka një hendek me 6 pikë përqindje që nuk shpjegohet me rritjen e ekonomisë reale.
Atëherë le të bëjmë një analizë tjetër me sektorët prodhues të cilët janë promotorë të rritjes ekonomike dhe që njihen se sjellin valutë në vend.
Në çdo literaturë të ekonomisë forcimi i monedhës vendase shoqërohet me rritje ekonomike e cila ka si faktor kryesor rritjen e sektorëve prodhues dhe eksporteve. Gjatë viteve të fundit ritmi i rritjes ekonomike ka qenë stabël dhe jo në raport të njëjtë me forcimin e monedhës vendase.
Nga ana tjetër për vitin 2023, 2024 dhe 2025 eksportet janë në rënie, çka tregon se fuqia e shitjeve jashtë vendit nuk është një faktor që ka patur si burim sjelljen e valutës së huaj në treg, gjithashtu po të shohim dhe sektorët e tjerë prodhues si bujqësia, do të rezultojë se kjo degë është me rënie për vitin e pestë rresht. Në rënie është dhe manifaktura, ku numri i ndërmarrjeve në 5 vitet e fundit është përgjysmuar.
Remitancat kanë qenë në rritje, por nuk janë tregues i ekonomive të zhvilluara, përkundrazi, në ekonomitë e dobëta popullsia rezidente mbështet në dërgesat e të afërmve që punojnë jahstë se ka papunësi, ose pensione e paga të pamjaftueshme.
Investimet e huaja direkte janë në rritje, por po t’i marrim në analizë do të na rezultonte se gjysma e flukseve janë riinvestime të ndërmarrjeve që aktualisht operojnë në vend dhe 3-vjeçarin e fundit, gati 35% e tyre janë investime në sektorin e pasurive të patundshme, ndërtim dhe jo industri, teknologji dhe inovacion, çka tregon për investitorë të huaj jo cilësorë.
Dy faktorët që mund të ketë ndikuar në forcimin e monedhës vendase janë të ardhurat nga turizmi, ku bilanci i parave të shpenzuara nga turistët në Shqipëri me ato që u shpenzuan nga shqiptarët jashtë për vitin 2025 rezultoi 2.68 miliard euro, dhe të ardhurat nga eksporti i shërbimeve me shtesë të valutës euro nga viti 2024 në vitin 2025 me 595 milion euro më shumë.
Zëri i eksportit të shërbimeve është shumë i rëndësishëm për analizë, pasi tregon një ekonomi me një model të brishtë dhe që nuk mbështetet te industria dhe sektorë prodhues që janë të qëndrueshëm dhe që përbëjnë peshën kryesore në strukturën e ekonomive të zhvilluara.
Shërbimet që eksporton Shqipëria janë shërbimet në turizëm, puna e refugjatëve jashtë vendit) dhe shërbimet në sektorët e teknologjisë dhe telekumunikacionit. Vitet e fundit vendi ynë ka patur një rritje të madhe të ofrimit të shërbimit call center, një pjesë të ligjshme dhe shumë qendra të paligjshme.
Por edhe sikur të marrim në konsideratë se 100% e fukseve që vijnë nga zyrat e call center janë të ligjshme, këto biznese nuk mund të shiten si model suksesi dhe zhvillimi ekonomik, pasi janë ndërmarrje që përqendrohen në vende ku puna paguhet pak dhe nuk krijojnë zinxhir zhvillimi në ekonomi.
Sot ekonomia shqiptare varet nga turizmi, bujqësia dhe ndërtimi, të cilat bashkë formojnë gjysmën e prodhimit kombëtar të vendit. Ky model reflekton një produktivitet të ulët të cilët në mesataren e vendeve të Bashkimit Europian zënë vetëm 25% të ekonomisë.
Nëse rritja ekonomike nuk e shpjegon forcimin e monedhës, atëherë nga ka ardhur kjo sasi e lartë e euros dhe sa ka të bëjë me paranë e pisët. Vetë autoritetet, përfshirë Bankën e Shqipërisë dhe Ministrinë e Financave e shpjegojnë mbiçmimin e lekut me të hyrat nga burime që furnizojnë ekonominë me euro, si eksportet, remitancat, turizmi dhe investimet e huaja.
Të gjithë pak a shumë thonë se monedha vendase është forcuar për shkak se sektorët që sjellin valutë kanë sjellë më shumë euro se zakonisht: emigrantët kanë dërguar më shumë, turistët kanë qenë më të shumtë në numër dhe kanë shpenzuar më shumë, investitorët e huaj kanë sjellë më shumë para.
Tani le të shohim flukset që raportojnë vetë autoritetet në statistikat zyrtare të bilancit të pagesave. Do të krahasojmë sa janë shtuar të ardhurat nga remitancat, turistët, investimet e huaja, borxhi në valutë dhe eksportet. Të gjithë të hyrat përmblidhen në 3 zëra kryesorë dhe do të supozojmë se valuta e vetme është euro.
Për vitin 2025 kanë hyrë 432 milion euro më shumë nga llogaria korrente-turizëm, eksporte të mallrave e shërbimeve, remitanca etj., sesa në vitin 2024. 305 milion euro janë shtuar nga llogaria financiare pa zbritur kapitalin e riinvestuar të ndërmarrjeve të huaja që regjistrohet si investim i huaj por nuk ka efekt në kurs sepse nuk konvertohet dhe nga llogaria kapitale janë 57 milion euro më pak të hyra se në vitin 2024.
Rezultati na tregon se nga bilanci i pagesave për vitin 2025, kanë hyrë në total 680 milion euro më shumë se në vitin 2024, transmeton emisioni “Kronos” në MCN TV.
Banka e Shqipërisë ka kryer operacione të blerjes së monedhës euro në vlerën 1 miliard e 27 milion euro, 347 milion euro më shumë dhe sërish nga janari 2025 deri në dhjetor 2025 monedha europiane është zhvlerësuar me 6.3%.
Kjo mund të shpjegohet vetëm me flukse të pajustifikuara të valutës dhe ky fakt pranohet dhe në tabelën shoqëruese të deklaratës së ndërhyrjes në tregun e parasë të Bankës së Shqipërisë ku shprehimisht thuhet se blerjet janë bërë me qëllim frenimin e forcimit të mëtejshëm të kursit të këmbimit. Këto operacione me këtë objektiv Banka e Shqipërisë i merr në 4 raste:
- mungesa e likuiditetit, si rezultat i të cilës partnerët e tregtimit kanë vështirësi në këmbimin e Lekut kundrejt monedhave të huaja dhe nuk janë në gjendje të mbajnë pozicione të hapura, e rrezikojnë tërheqjen e tyre nga tregu;
- rritja e pajustifikuar e ritmit të ndryshimit në një kah e kursit të këmbimit të monedhës vendase kundrejt monedhave të huaja ose rritja e luhatshmërisë së kursit të këmbimit të monedhës vendase kundrejt monedhave të huaja;
- zgjerimi i diferencës midis çmimit të blerjes dhe atij të shitjes së monedhës vendase kundrejt monedhave të huaja, të cilat kuotohen në tregun valutor;
- përqendrimi i ofertës ose kërkesës në një ose shumë pak pjesëmarrës të tregut, shoqëruar me rënien e vëllimit të veprimeve që kryhen në tregun valutor.
Asnjë nga këto raste nuk ka ndodhur në tregun shqiptar, pasi nuk ka patur ndonjëherë mungesë të valutës apo diferencë të madhe mes çmimit të shitjes dhe të blerjes, por për rritje të pajustifikuara të vlerave në kurs është folur shpesh. Këtë e ka thënë në disa deklarata Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe në raportin e fundit për Klimën e Investimeve në Shqipëri dhe Departamenti Amerikan i Shtetit.
“Mbiçmimi i shpejtë i lekut që nga viti i kaluar nuk shpjegohet plotësisht nga bazat ekonomike duke shtuar rrezikun e një kthimi të papritur. Banka e Shqipërisë bëri dy ndërhyrje të paplanifikuara gjatë verës për të qetësuar luhatjet dhe për të përjashtuar shfaqjen e kushteve të çrregullta të tregut.
Kursi duhet të lejohet të përshtatet e të jetë fleksibël ndaj zhvillimeve të tregut, ndërsa ndërhyrjet e bankës qendrore duhet të mbeten një mjet në funksion të përmbushjes së mandatit primar, atij të stabilitetit të çmimeve, dhe për të zbutur luhatjet që burojnë nga faktorë spekulativë”, është shprehur në një raport të vitit të shkuar Fondi Monetar Ndërkombëtar.
“Krimi i organizuar i udhëhequr nga shqiptarët luan një rol të rëndësishëm në furnizimin e tregjeve ndërkombëtare me kanabis, kokainë dhe heroinë, ndërsa ekonomia shqiptare shfrytëzohet për pastrimin e të ardhurave nga krimi, veçanërisht përmes sektorit të ndërtimit.
Banka e Shqipërisë nuk ndërhyn në kursin e këmbimit, dhe përdor rritjen ose uljen e rezervës monetare për të zbutur luhatjet e tepruara në tregun vendas të këmbimit valutor dhe për të zbatuar objektivat e politikës monetare.
Megjithatë, në vitin 2024, përballë një forcimi të vazhdueshëm të monedhës vendase kundrejt euros, Banka e Shqipërisë i shtoi ndërhyrjet në tregun e këmbimit valutor me rreth 933 milionë euro – 3,7 herë më shumë sesa në vitin 2023.
Monedha vendase u forcua më tej kundrejt euros në vitin 2024, me 7,4 %”, thuhet në raportin e vitit 2025 për Klimën e Investimeve në Shqipëri nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
Vetëm në dy dosjet e fundit të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit ë Organizuar, vlera e aseteve që iu sekuestruan grupeve kriminale të narkotrafikut kapte shifrën e afro 650 milion eurove. Depërtimi i parasë së zezë në ekonominë shqiptare është ngritur si shqetësim nga institucionet ndërkombëtare, vendet partnere por dhe autoritetet vendase.
Në këto kushte, banka qendrore është detyruar që të ndërhyjë në treg për të shmangur rrezikun që i kanoset ekonomisë vendase, duke qenë se sektorët prodhues në vend bëhen më të shtrenjtë në tregun e pakicës për shkak se produktet që vijnë nga jashtë janë më të lirë por dhe sepse eksportuesit po fitojnë më pak.
Edhe pse ka në objektiv vetëm mbrojtjen e stabilitetit të çmimeve Banka e Shqipërisë ka blerë 3-vjeçarin e fundit qindra milion euro në treg për të shmangur krizën që do t’i shkaktohej ekonomisë nga një forcim dhe më i madh i lekut.
Kjo politikë e blerjes së valutës ka rritur sasinë e parasë vendase dhe rrjedhimisht ka shkaktuar inflacion më të lartë.
Pika e tretë është të shohim se cilët kanë qenë ata që kanë përfituar. Nëse shumë thonë se flukset e parave joformale pavarësisht burimit e bëjnë një ekonomi më të pasur, le të analizojmë se sa kanë përfituar shqiptarët nga forcimi i lekut.
Familjet të cilat mbahen me dërgesat emigrantëve janë të humbura. Sot me 100 euro ble më pak mallra se 10 vjet më parë, pa llogaritur dhe efektet e rritjes së çmimeve nga inflacioni. Eksportuesit janë po ashtu të humbur pasi marrin të ardhura në euro, i konvertojnë në lekë sepse një pjesë të kostove e kanë në monedhën vendase dhe fitimet janë më të ulta për shkak të zhvlerësimit të kursit të këmbimit.
Ky zhvlerësim i bën dhe mallrat vendase më pak të konkurrueshme në tregjet ndërkombëtare. E humbur është dhe industria e turizmit, ku pavarësisht shtimit të numrit të turistëve, shpenzimet e këtyre bizneseve janë në lekë dhe të ardhurat në euro, edhe oferta turistike e Shqipërisë është më e shtrenjtë pasi tashmë për vizitorët kërkohet të shpenzojnë më shumë se më parë pasi blerjet bëhen në monedhën vendase.
Për këtë shkak, Shqipëria është më pak tërheqëse dhe për investitorët e huaj të cilët për një investim të njëjtë, nëse do të zgjidhnin vendin tonë në rajon, do të duhet të kenë një buxhet më të madh.
Një pjesë e kursimeve të shqiptarëve në monedhën euro kanë humbur vlerën, ndërsa përfitimet e tërthorta janë të pakta: qeveria për shkak të borxhit të jashtëm dhe shqiptarët që udhëtojnë jashtë për turizëm, edukim dhe mjekësi.
Ata që kanë tortën më të madhe të përfitimit janë importuesit, që pavarësisht se euro kanë rënë, çmimet në Shqipëri janë rritur madje dhe me ritëm më të shpejtë se mesatarja e vendeve të Bashkimit Europian.
Sipas statistikave të Eurostat, në vitin 2013 Shqipëria renditej e dyta pas Maqedonisë së Veriut për koston më të lirë të jetesës, e cila ishte 49.6% e mesatares së vendeve të unionit.
Në vitin 2017, kostoja e jetesës në vendin tonë u rrit me 2.8 pikë përqindje duke arritur në 52.4% të mesatares së BE-së. Në vitin 2021 kosto e përgjithshme e jetesës shkon në 61.6% e vendeve të Bashkimit Europian dhe në fund të vitit 2025 ky tregues arrin në 72.6%
Në vendet e rajonit, Maqedoni e Veriut, Bosnjë Hercegovinë, Serbi dhe Mali i Zi, kosto e jetesës rezulton nën 68% se ajo e shteteve europiane.
Por më shumë se rritja e shpejtë e kostos së jetesës, në disa raste dhe më e lartë se shtetet e unionit, ajo që bën përshtypje në këto statistika janë çmimet e ushqimeve në vendin tonë, të cilat janë 103.8% e mesatares së BE-së, rrjedhimisht më të larta.
Çmimet e ushqimeve në Shqipëri janë më të shtrenjta se në Gjermani, Hollandë, Itali, Portugali dhe shumë vende të tjera të cilat janë disa herë më të pasura se Shqipëria.
Kjo e dhënë është e rëndësishme pasi familjet shqiptare shpenzojnë gati gjysmën e buxhetit të tyre për ushqime, 40%, ndërsa vendet anëtare të BE-së shpenzojnë jo më shumë se 20% të buxhetit të tyre për ushqime.
Sipas Eurostat, për periudhën 2013-2025, kostoja e jetesës në Shqipëri u rrit me 23 pikë përqindje ndaj mesatares së Bashkimit Europian. Për të njëjtën periudhë, të ardhurat për frymë sipas fuqisë blerëse u rritën me vetëm 13 pikë përqindje, nga 30 për qind e mesatares së BE-së në vitin 2013, në 43 për qind në fund të vitit të kaluar.
Kjo tregon dy probleme të mëdha të ekonomisë sonë: strukturën monopol të tregjeve që për shkak të mungesës së konkurrencës nuk kanë ulur çmimin por kanë rritur përqindjen e fitimit dhe varfërimin e konsumatorit shqiptar çdo vit dhe pse monedha vendase është forcuar.
Kjo nënkupton që edhe nëse ekonomia shqiptare nga viti 2013 është rritur me 47% në terma realë, ajo është shpërndarë vetëm në një grusht njerëzish, që janë ata të cilët shpesh politikanët i kanë quajtur ‘oligarkë’ të cilët vendosin një taksë të fshehtë për të investuar para, qoftë këto të pista apo të pastra, por që barrën e pastrimit të parave që ata marrin nga grupet kriminale e vuajnë popullsia e gjerë.



