Ministri në largim i Zhvillimit Rajonal i qeverisë Kurti, Fikrim Damka, është arrestuar të dielën në Prizren, së bashku me një familjar të tij me inicialet F.D., për dyshimin për veprat penale “sulm” dhe “kanosje”.
Zëdhënësi i Policisë, Shaqir Bytyqi, tha se autoritetet kanë intervistuar të dyshuarit dhe viktimat dhe kanë mbledhur prova dhe dëshmi shtesë për ngjarjen.
"Rreth orës 18:00 më 09.02.2025, në Prizren është raportuar një rast 'Kanosje dhe Sulm'. Policia ka intervistuar të dyshuarit F.D. dhe F.D. si dhe viktimat, ndërkohë që janë mbledhur prova dhe dëshmi të tjera", ka thënë Bytyqi.
Pas përfundimit të intervistave, me vendim të prokurorit, Damka dhe i dyshuari tjetër janë ndaluar për 48 orë.
Kryeprokurori i Prizrenit, Petrit Kryeziu, ka thënë se Damka ka sulmuar një kandidate nga Partia Turke e Lëvizjes Novatore (YTHP), si dhe një tjetër person nga kjo parti.
Edhe Partia Turke e Lëvizjes Novatore (YTHP) ka publikuar akuza ndaj Fikrim Damkës, duke e akuzuar atë për sulm fizik ndaj një kandidateje për deputete nga radhët e kësaj partie.



