Ismail Kadare, shkrimtari i madh shqiptar, është nderuar me titullin e lartë “Oficer i Madh i Legjionit te Nderit” në shtetin francez.
Këtë lajm e ka bërë me dije, ish-ministrja e kulturës Mirela Kumbaro e cila ka thënë se ky vit i parë kësaj dekade të re nuk mund të niste më mirë.
Në postimin e Kumbaros mësohet se titulli i lartë i është dhënë Kadaresë nga Presidenti i Francës Emmanuel Macron.
“Ismail Kadare, Oficer i Madh i Legjionit te Nderit! Ka vetem 250 te tille sot ne France. Nuk mund te fillonte me mire ky vit 2020! Me dekret te posaçem te Presidentit te Frances Emmanuel Macron, shkrimtari yne, pasi fitoi titullin prestigjioz “Komandant i Legjionit te Nderit” ne vitin 2016, shpallet sot “Grand Officier de la Legion d’Honneur”. Faleminderit Ismail. Merci la France”, shkruan Kumbaro.
Vendimi është publikuar edhe zyrtarisht.

Presidenti Ilir Meta tha sot se vlerësimi i shkrimtarit Ismail Kadare me titullin “Oficer i Madh i Legjionit të Nderit” në Francë është një fillim i mbarë për afrimin e merituar europian të Shqipërisë.
“Vlerësimi i lartë i shkrimtarit tonë të madh, Ismail Kadare, uroj të jetë një fillim i mbarë në këtë ditë të parë të 2020 për afirmimin e merituar europian të popullit tonë!”, shprehet ai.
Shkrimtari shqiptar, Ismail Kadare është vlerësuar nga Presidenti i Francës, Emmanuel Macron me titullin më të lartë, “Oficer i Madh i Legjionit të Nderit”.



