
Kryeprokurorja e përkohshme, Arta Marku, ka zhvilluar takimin e parë me gazetarët që pas marrjes së detyrës. Marku ka zhvilluar një bashkëbisedime me gazetarët në lidhje me çështjet e ditës dhe punën si drejtuese e Prokurorisë së Përgjithshme.
Marku tha se puna e saj në vijim do të tregojë sa e pavarur është ajo nga politika për marrjen e vendimeve në institucionin më të lartë të akuzës në vend.
“Sa e pavarur do të jem unë, këtë do ta tregojë puna ime. Puna ime do të jetë e monitoruar”, tha ajo.
"Në punën time po zbatoj ligjet. Sesa profesionale jam në punën time, do ta tregojë koha. Unë kërkoj bashkëpunim për çështje sensitive”, u ka thënë gazetarëve Prokurorja e Përgjithshme.
Marku bëri betimin si kryeprokurore e përkohshme në seancën e Parlamentit më 18 dhjetor. Ajo u zgjodh vetëm me votat e maxhorancës, ndërsa seanca u shoqërua me tensione në sallë dhe para Parlamentit, ku PD-ja dhe LSI-ja zhvilluan një protestë.



