
Bashkimi Evropian është gati të vendosë sanksione ndaj ministrit rus të Mbrojtjes Sergei Shoygu, si pjesë e përgjigjes ndaj vendosjes së trupave të Moskës në Ukrainën Lindore. Në draft-dokumentin e siguruar nga “Politico.eu” që mban datën 22 shkurt, listohen më shumë se 20 persona dhe subjekte që do të sanksionohen nga Brukseli.
Procedurat pritet të finalizohen me një vendim që do të hyjë në fuqi sot në mbrëmje.
Dokumenti thotë se nën komandën dhe urdhrat e Shoygu-t “trupat ruse kanë mbajtur stërvitje ushtarake në Krimenë e aneksuar ilegalisht dhe janë pozicionuar në kufirin me Ukrainën” dhe “ai është në fund të fundit përgjegjës për çdo veprim ushtarak kundër Ukrainës”.
“Prandaj ai është përgjegjës për mbështetjen dhe zbatimin aktiv të veprimeve dhe politikave që minojnë dhe kërcënojnë integritetin territorial, sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës, si dhe stabilitetin ose sigurinë në Ukrainë”, thuhet në dokument.
I njëjti dokument konfirmon se tre banka ruse do të jenë gjithashtu në shënjestër si pjesë e paketës së sanksioneve të BE-së.



