Eksperti i ekonomisë Ilir Ciko për tarifën e vendosura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndaj vendit tonë prej 10%, thotë se në parimin e reciprocitetit nuk do të thotë se tarifat duhet të jenë njëlloj.
Duke folur për “MCN Economy”, ai deklaroi se ne mund të vihemi edhe në një pozitë të favorshme se duke pasur një tarifë 10%, krahasuar me vendet e tjera përfshi dhe Bashkimin Europian, që kanë një tarifë prej 20%.
Ciko shtoi se bizneset kanë një mundësi të artë për ta përdorur dhe se ato produkte që janë prodhuar në vende të tjera të botës për tu eksportuar në Amerikë, tashmë kanë mundësinë që të prodhohen tek ne dhe për shkak të tarifave të ulëta, të eksportohen drejt SHBA.
Ne kemi tarifa doganore që variojnë 5, 10 apo 15%, tarifa mesatare para vendosjes kanë qenë 3.3%.
Sa i takon eksporteve tona, eksportet tona drejt SHBA janë fare minimale, nën 3%.
Dy janë produktet kryesore që eksportojmë drejt SHBA, bimët medicinale dhe përpunimi i tyre dhe së dyti materialet e hekurit dhe çelikut.
Për bimët medicinale elasticiteti i kërkesës ndaj këtyre produkteve është indiferent ndaj çmimit.
Një rritje sado e lehtë, 10% nuk do të ndikojë në ndryshimin e sasisë së eksportit drejt tregut amerikan.
Për këtë produkt që ka një lloj ndjeshmërie në Shqipëri, nuk do të kemi një prekje.
Shqetësimi jonë për ekonominë shqiptare nuk është për produktet e drejtpërdrejta që eksportomë drejt tregut amerikan, por me atë që do të ndodhë me ekonominë globale pas vendosjes së këtij sistemi tarifor.
Eksportet e çelikut do të preken, pasi do të jetë e vështirë që të gjendet një treg tjetër.
Ne mund të vihemi edhe në një pozitë të favorshme se duke pasur një tarifë 10% është fare minimale, krahasuar me vendet e tjera përfshi dhe Bashkimin Europian, që kanë një tarifë prej 20%.
Tregtari që e eksporton produktin e vetë nga Shqipëria, mund të përfitojë. 2/3 e eksporteve tona shkojnë drejt Bashkimit Europian, Amerika është tepër larg.
Do të ishte e pakuptimtë ndërmarrja e masave reciproke apo e çdo mase ndaj importeve amerikane që vijnë në Shqipëri.
Pjesën dërrmuese e zënë automjetet që vijnë nga tregu amerikan. Shtimi apo ulja, nuk është tregues i zhvillimit ekonomik.
Këto janë produkte që Shqipëria mund t’i importojë si nga tregu amerikan dhe nga tregje të tjera.
Për sa kohë kemi tarifa zero me vendet e rajonit, nuk ka pse edhe për një partner të rëndësishëm politik siç është SHBA, të kishim tarifa zero.
Por kurrsesi nuk jemi në situatë për vendosjen e tarifave të reciprocitetit, do të ishte absurditet.
Bizneset kanë një mundësi të artë për ta përdorur, harrojeni se kemi qenë me tarifë zero.
Ato produkte që janë prodhuar në vende të tjera të botës për tu eksportuar në Amerikë, tashmë kanë mundësinë që të prodhohen tek ne dhe për shkak të tarifave të ulëta, të eksportohen drejt SHBA.



