
Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili bëri me dije se Partia Demokratike ka marrë 500 mijë dollarë nga Rusia, në zgjedhjet e vitit 2017, ishin temë e bisedës së sotme në emisionin “Të Paekspozuarit”, Ylli Rakipi në MCN TV.
Arben Ristani, anëtar i kryesisë së PD, ka sqaruar në emision se PD është e përjashtuar nga çdo përgjegjësie dhe para të tilla nuk kanë hyrë kurrë në PD.
Sipas tij, Lulzim Basha gjatë kohës që ishte kryetar i PD mund ti ketë përdorur si para personale, jashtë procedurës që parashikon statuti i partisë.
Lidhur me këtë çështje po ju them qartë se këto para nuk kanë hyrë as nuk kanë dalë kurrë nga PD. Këto para janë përdorur personalisht nga ish-kryetari i PD-së, për qëllime të lobimit të tij në SHBA, askush në parti nuk ka pasur dijeni për këto para.
Në mënyrë personale ish kryetari i PD flitet se ka përdorur para personale dhe jo sipas procedurës që parashikon statuti i partisë. Statuti i PD vetëm Kryesisë i jep të drejtën për të kryer marrëveshje me të tretë. Për vendimet e lobimit nuk ka një marrëveshje të tillë.
Në këto kushte unë nuk kam pasur asnjë dijeni dhe nuk di të ketë pasur dijeni as nënkryetarët as personat tjerë në PD dhe nuk di as me kë ka folur privatisht Basha, por nuk di të ketë pasur dijeni askush lidhur me këtë çështje.



