
Gazetari Klodian Tomorri deklaroi në studion e emisionit “MCN Economy” se taksa e pronës do të rritet dhe se takimi që ka zhvilluar sot ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj në bashkëpunim me UBT është lançimi i parë i draftit. Duke vijuar më tej me shpjegimin e tij, Tomorri tha se do të ketë dyfishim të normës së taksimit, por që në draft është parashikuar të mbrohen kategoritë vulnerabël. Sipas Tomorrit arsyeja kryesore e këtij vendimi është që qeveria të mbledhë më shumë të ardhura nga taksat. "E para është se taksa është relativisht e vogël në vlerë, 0.5% e vlerës së tregut. E dyta është fakti që ka evazion. Jo e gjithë taksa mblidhet ashtu siç duhej të mblidhej. Ajo që unë shoh se po ndodh dhe ky aktivitet, ajo që ka pasur ministrja në bashkëpunim me UBT është lançimi në publik i njoftimit të parë të asaj që do ndodhë. Taksa e pronës do të rritet. Nëse krahason nivelin e të ardhurave që mbledh Shqipëria me vendet e tjera, ne mbledhim pak, kjo ndodh për shkallën e vogël të taksimit dhe informalitetit. Taksa do të rritet. Ka një draft që e rrit taksën jo vetëm pse synohet të kalojmë në një taksim në vlerë dhe jo çmim referencë. Baza që do vendoset taksa nuk do të jenë më çmimet e referencës që ka miratuar qeveria, por do jenë transaksionet e shitje-blerjeve që kryhen në ato zona. Shkalla e taksimit, norma e taksës do të dyfishohet. Nuk do të jetë 05 për 1000, por 01 për 100. Do të ketë dyfishim të normës së taksimit. Synohet që të mbrohen kategoritë vulnerabël si pensionistët e vetëm, apo familjet në ndihmë ekonomike, pjesa tjetër do paguajë taksë që do jetë më e lartë. Arsyeja kryesore është se qeveria ka nevojë të mbledhë para. E kemi parë që është lajmëruar rritja e pagave, madje rritjet e para kanë hyrë në fuqi nga prilli dhe pse nuk janë marrë akoma sepse Ministria e Financave nuk ka zbardhur koeficientet e rinj". "Krijon incentivë në tregun e pasurive të paluajtshme. Një masë e tillë duhet të sillte dhe rënien e pasurive të paluajtshme, por Shqipëria është treg i çuditshëm dhe është e vështirë të bësh parashikime veçanërisht sa i përket tregut të pasurive të patundshme që vitet e fundit ka pasur vetëm rritje". Më tej Tomorri tha se familjet në fshat nuk do mund ta përballojnë taksimin për tokën e tyre bujqësore. "Pjesa dërrmuese e familjeve në fshat nuk kanë të ardhura për të përballuar një taksim të pronës së tyre sepse nuk nxjerrin të ardhura nga toka e tyre. Me atë mbijetojnë, nuk dalin në treg. Vendosja e një haraçi për ta do të ishte e tepërt".



