Kopshtet dhe çerdhet mund të hapen nga 1 qershori, nëse situata do të vijojë të mbetet konstante gjatë ditëve në vijim. Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, tha se këto struktura do t’i nënshtrohen një vlerësimi të thellë, që do t’i paraprijë hapjes së mundshme të tyre.
“Dëshiroj të ndalem këtu, duke theksuar nevojën e një vlerësimi të thellë dhe shumë të kujdesshëm të kushteve higjeno-sanitare për çdo strukture të kopshteve dhe çerdheve dhe standardeve që duhet të plotësojnë për të mirëpritur femijët në këto institucione me rregullat e reja. Protokollet e sigurisë do të bëhen të njohura në ditët në vijim, ku dhe do të ngarkohen për zbatim të gjithë insitucionet përgjegjëse për plotësimin e tyre deri në këtë datë”, tha Manastirliu.
Pritet që rihapja e kopshteve dhe çerdheve të lehtësojë shumë prindër, të cilët nuk kanë kujt t’i drejtohen për kujdesin e fëmijëve gjatë kohës që janë në punë.



