Nga Niazi Jaho
- Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me një kërkesë në të cilën është kërkuar shpallja antikushtetuese e dy neneve të Ligjit “Për dekriminalizimin” që kufizojnë të drejtën për të votuar të personave të dënuar. Lidhur me këtë kërkesë a mund të jepni disa sqarime ligjore?
- Në datën 17.12.2015, Kuvendi miratoi Ligjin “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike” ose, siç është quajtur, Ligji “Për dekriminalizimin”.
Në pikën 4 të nenit 2 të këtij ligji thuhet: “Nuk kanë të drejtë të votojnë dhe të zgjedhin me votim të drejtëpërdrejtë kandidatët për deputet në Kuvend apo në organet e qeverisjes vendore personat që plotësojnë kushtet e parashikuara në shkronjat “a” dhe “b” të pikës 1 të nenit 2 të këtij ligji.”
- Çfarë thuhet në shkronjat “a” dhe “b” të pikës 1 të nenit 2 ?
- Ky nen është emërtuar: “Ndalimi për kandidim dhe për t’u zgjedhur në një funksion të lartë publik”.
Sipas pikës 1 të këtij neni ndalohen për kandidim dhe për t’u zgjedhur në funksione të larta publike ata që janë dënuar me burgim me vendim të formës së prerë brenda ose jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, për një nga veprat penale të parashikuara në shkronjat “a” dhe “b” dhe që janë gjithsej 86 vepra penale.
- Neni 2 i Ligjit bën fjalë për ndalimin për kandidim dhe për t’u emëruar në një funksion të lartë publik dhe jo për kufizim të së drejtës për të votuar. Përse pika 4 e nenit 2 të ligjit përmendet më lart i referohet shkronjave “a” dhe “b” të pikës 1 të nenit 2 të ligjit?
- Kështu e ka vlerësuar dhe e ka vendosur ligjbërësi.
- Ku e bazon kërkesën e vet KShH-ja që ka kërkuar shpalljen antikushtetuese të pikës 4 të nenit 2 të ligjit?
- Kërkesa mbështetet në pikën 3 të nenit 45 të Kushtetutës, në praktikën e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, në Kodin e mirë të zgjedhjeve miratuar nga Komisioni i Venecias të vitit 2002, në opinionin e Komsionit të Venecias që i përgjigjet kërkesës së palës shqiptare, etj.
- Çfarë thuhet në pikën 3 të nenit 45 të Kushtetutës sonë?
- Mbasi përmendet e drejta universale për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur (pika 1 e nenit 45) në pikën 3 të këtij neni thuhet: “Në raste përjashtimore dhe të justifikuara, ligji mund të parashikojë kufizime të së drejtës për të zgjedhur të shtetasve që vuajnë dënimin me heqje lirie….”
- Përse të jetë antikushtetues kufizimi i së drejtës për të zgjedhur i të dënuarve derisa në nenin 45 të Kushtetutës një gje e tillë lejohet dhe parashikohet ?
- Sepse, pika 4 e nenit 2 të ligjit nuk pajtohet me nenin 45 të Kushtetutës pasi ligjbërësi: a)Nuk ka patur parasysh atë që thuhet në Kushtetutë se raste të tilla duhet të jenë përjashtimore dhe të justifikuara; b) Nuk mund të quhen raste përjashtimi kur kufizimi i së drejtës për të votuar përsa i përket veprave penale (86 nene) barazohet me personat që kandidojnë për deputet, organet e qeverisjes vendore si dhe me ata që emërohen në funksione të larta publike; c) Nga vetë formulimi i pikës 3 të nenit 45 të Kushtetutës, nuk është vështirë të konkludohet se, rastet e kufizimit për të ushtruar të drejtën e zgjedhjes të të dënuarve që vuajnë dënimin duhet të jenë më të pakta (ose më strikte) se ato që mund të zbatohen ndaj të zgjedhurve apo të emëruarve në funksione të larta publike. Në këtë vështrim, kufizimi i së drejtës për të votuar i të dënuarve mund të zbatohet për krime veçanërisht të rënda dhe jo për vepra që janë më pak të rënda; ç) I pakuptimtë dhe i pajustifikuar është fakti se në këto 86 vepra penale janë përfshirë edhe disa nene që sipas Kodit Penal cilësohen kundravajtje penale që kanë rrezikshmëri të pakët shoqërore dhe që, masat e dënimit janë të ulëta; d) Kufizimi i ushtrimit të kësaj të drejte jo vetëm ka një shtrirje të madhe (rreth 30 % të të gjitha veprave penale që parashikon Kodi Penal), por nuk është përcaktuar as qëllimi i këtij kufizimi, as rrethanat dhe kushtet që kanë diktuar atë gjë që bie ndesh edhe me nenin 17 të Kushtetutës.
- Çfarë thuhet në nenin 17 të Kushtetutës?
- Veç të tjerave, në këtë nen, thuhet se kufizimi i të drejtave mund të vendoset për një interes publik ose për mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve, se ky kufizim duhet të jetë në përpjestim me nevojën që e ka diktuar atë.
E shikoj të nevojshme të përmend se në kërkesën e KShH-së drejtuar Gjykatës Kushtetuese përmenden edhe shumë argumente të tjera, jepen shembuj konkretë nga praktika e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, etj.
- Ligji “Për dekriminalizimin” është mjaft i rëndësishëm. Ai është miratuar me konsensus të gjerë. Si shpjegohet që një ose dy nene për KShH-në nuk janë në Pajtim me Kushtetutën?
- Nuk ka dyshim se Ligji “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike” është mjaft i rëndësishëm. Është e vërtetë se ai u miratua me konsensus të gjerë të mazhorancës dhe opozitës, por nuk di të jetë organizuar ose zhvilluar (paraprakisht) ndonjë diskutim apo debat gjithëpërfshirës.
KShH mendon se pika 4 e nenit 2 nuk është në përputhje me nenet 45 dhe 17 të Kushtetutës. Prandaj dhe i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese. Natyrisht është në kompetencën e saj ta pranojë ose ta refuzojë këtë kërkesë. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese, siç dihet, janë të formës së prerë dhe të detyrueshme për zbatim.
- Mos vallë KShH është disi i vonuar në paraqitjen e kërkesës derisa ligji është miratuar në dhjetor të vitit 2015 ?
- KShH mendoj se nuk është i vonuar. Kërkesa është paraqitur brenda afateve ligjore. Të atakosh një ligj apo një dispozitë ligjore në Gjykatën Kushtetuese, nuk është gjë e lehtë. Kjo kërkon studim dhe konsultim. Veç kësaj, sipas nenit 134 pika 1 shkronja “h” dhe pika 2, të Kushtetutës, organizatat (siç është edhe KShH) kanë legjitimitet të kufizuar për të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese. E megjithëkëtë mund të përmendet fakti se KShH qysh në dhjetor të vitit 2016 lidhur me disa komente dhe sugjerime që i ka dërguar Kuvendit për një projekt-ligj, veç të tjerave ka sugjeruar të shqyrtohej bazueshmëria kushtetuese e pikës 4 të nenit 2 të Ligjit që përmendëm më lart (kufizim i të drejtës për të zgjehdur të personave të dënuar me burgim që vuajnë dënimin).
Madje në këtë shkresë sugjerohej që “shqyrtimi i kësaj çështje të bëhej sa të jetë e mundur më shpejt sepse, sipas Kodit Zgjedhor, në muajin dhjetor 2016 hartohen listat e zgjedhësve që do të shpallen më vonë”. Listat e zgjedhësve u shpallën në fillim të Janarit 2017.



