
Hetimi dhe sekuestrimi i Prokurorisë në Lezhë për rezortin “Diella” ka nxjerrë në pah një skemë të mirëfilltë të tjetërsimit të pronave në bregdet dhe zonat turistike.
Sipas dosjes së siguruar nga MCNTV janë plotë 200 dynym të cilat nga toka shtetërore janë përfituar nga persona të ndryshëm të përfshirë në skemën e falsifikimit.
Hoteli "Diella" është vënë nën sekuestro në Lezhë. Mësohet se hoteli në fjalë rezulton se është i regjistruar me dokumente të falsifikuara. Ai rezulton se është ndërtuar në një zonë të mbrojtur.
Ky hetim ka nisur pesë vite më parë më 27 shtator 2017 për tu finalizuar me sekuestron e miratuar edhe nga gjykata e Lezhës.
Të përfshirë rezultojnë edhe zyrtarë publik të cilët aktualisht po hetohen nga prokuroria e Lezhës e cila thotë “Nga hetimi i zhvilluar në lidhje me këtë procedim penal ka rezultuar e provuar se: Punonjës të administratës shtetërore kanë favorizuar regjistrimin e pasurive të paluajtshme për disa shtetas të cilët kanë përfituar në mënyrë te paligjshme prona shtetërore në zonën e bregdetit nëpërmjet përgatitjes se AMTP-ve shtesë dhe te falsifikuara. Këto prona shtetërore janë regjistruar ne ZVRPP me qëllim tjetërsimin tyre nëpërmjet shitjeve të njëpasnjëshme, disa prej të cilave fiktive, me qëllim humbjen e vëmendjes nga përfituesi fillestar i pronës. Sasia e pronave që dyshohet se janë përfituar në mënyrë të paligjshme, është rreth 200 dynym, prona këto të gjitha në bregun detit, me vlera të larta për turizmin, bregdeti Kune Vain”.
Aktualisht sekuestro i është përcjell qendrës kombëtare të biznesit për të mos tjetërsuar pasurinë përfshi “Diellën” si dhe zyrës së hipotekës në Lezhë.
Ndërkohë kjo zonë rezulton e mbrojtur prej vitit 1940 por asgjë s’ka penguar zyrtarët publik dhe zaptuesit e tokës shtetërore të ndërtojnë aty objekte të paligjshme të cilat sipas prokurorisë aktualisht janë konstatuar 18 të tilla.
Toka e tjetërsuar me dokumente të falsifikuara gëzon statusin e zonës së mbrojtur nga vitit 1940
“Kjo pasuri është e vërtetuar me të gjithë dokumentet ligjore qe disponon arkiva e shtetit deri ne sot, si dokument trashëgimie, dokument si zone e mbrojtur ne vitin 1940, dokumentin "Akt marrëveshjen me firmën Italiane po ne vitin 1941, dokumentin e vitit 1945 ku familja "MLIKA" ja ka afruar ish pushtetit për ta përdorur me qira. Ne vitin 1946 që është shpronësuar toka nga shteti, është vërtetuar plotësisht se kjo prone i përket familjes MLIKA”, thotë prokuroria e Lezhës.



