Gazetarja Ola Xama, për rihapjen e basteve sportive thotë se mbyllja ndodhi në fund të vitit 2018, kur u mbyllën të gjitha pikat e basteve dhe në përgjithësi gjithë lojërat e fatit, me argumentimin kryesor pjesën sociale, për sa kohë shumë familje vuanin varësinë e familjarëve të tyre që luanin në lojërat e fatit.
Duke folur në emisionin “MCN Economy”, Xama i cilësoi bastet online si një infeksion që kishte shoqëria, pasi fundjava ishte loto, kazino dhe ku shumë para luheshin dhe pak deklaroheshin, si dhe një pjesë e madhe e basteve online luheshin dhe jashtë.
U krijua një ligj që u konsultua me grupet e interesit, mori kohën e tij për tu shkruar, por nuk u fut në zbatim, pasi disa herë vetë mazhoranca kërkoi shtyrjen e afatit për hyrjen në fuqi deri kur u vendos që të mos lejoheshin fare lojërat e fatit dhe mbyllja drastike ndodhi për bastet sportive, por kazinotë luksoze me licenca ndërkombëtare u lejuan.
Në Shqipëri kanë qenë të ndaluara aktiviteti i lojërave të fatit në fushën e basteve, si nga lajmet dhe nga kontrollet e Policisë së Shtetit dhe deklaratat, shohim që ende vazhdojnë të luhen para.
Këto para që luhen nuk deklarohen dhe shteti nuk mbledh taksa dhe nuk ka garanci për lojtarin. Pala që ka luajtur rrezikon mos t’i japë paratë dhe ai nuk ka ku i kërkon në këtë pikë.
Lidhur me projektligjin e ri për lojërat e fatit që pritet kalojë në muajn janar, Xama tha se tenton ta formalizojë tregun por nuk ka garanci 100% që i gjithë tregu do jetë formal.
Edhe më parë ka pasur një informalitet të madh, ka pasur pika të rregullta, por edhe pika që luanin në të zezë.
Nga periudha kur u vendos mbyllja e lojërave të fatit, tregu joformal është zhvilluar shumë, ka shumë grupe biznesi, ka persona që vijnë nga grupe kriminale që ushtrojnë këtë aktivitet, ata sot nuk deklarojnë, nuk paguajnë taksa dhe kur u thua hajde sot paguaj taksa, nuk e bëjnë.
Strukturat e policisë dhe autoritetet hetimore duhet të luftojnë informalitetin e krijuar nga paligjshmëria që u krijua nga aktiviteti i lojërave të fatit.
Është shumë e vështirë që lojërat e fatit të formalizohen nga të gjithë, për shkak të disa kritereve që nuk i plotësojnë dot.
Një biznes nuk ka qëllim në vetvete të prodhojë taksat për një shtet, por është pjesë e përgjegjësive që ka një biznes i caktuar.
Produktin e lojërave të fatit dhe basteve sportive, e do një pjesë e tregut shqiptar.
Është një aktivitet që ka disa rrisqe, qoftë nga lobet ekonomike që mund t’i përdorin për interesa të caktuara, siç ka ndodhur që përdoreshin nga grupe kriminale.
Për aktivitete të tilla duhet të jesh i monitoruar dhe i kontrolluar. Duhet të kesh përgjegjësi, një tatim pak më të lartë.
Duhet t’i japë garanci lojtarit që luan që këto para do i marrë dhe nuk do falimentojë.



