Vendi ku u rrëzua avioni në Indi është vizituar nga kryeministri indian Narendra Modi i cili më pas ka vizituar edhe të plagosurit në spital. Të gjithë pasagjerët, përveç njërit, prej 242 personave në bordin e fluturimit me destinacion Londrën, humbën jetën pasi avioni u rrëzua menjëherë pak çaste pas u ngrit nga toka..
Të shumtë kanë qenë familjarët të cilët kanë dorëzuar mostra të ADN-së për të identifikuar të afërmit e tyre, ndërkohë që mjekët e ekspertizës thonë se duhet pak kohë deri në identifikimin e viktimave.
Fluturimi ishte nën komandën e Kapiten Sumeet Sabharwal, një kapiten trajnimi në linjë me 8,200 orë përvojë fluturimi, i cili vetëm pas disa muajsh dilte në pension.
I vetmi i mbijetuar i tragjedisë ajrore është 40-vjeçari Vishwash Kumar Ramesh i cili ka marrë vetëm disa plagë të lehta.
Tridhjetë sekonda pas ngritjes, pati një zhurmë të fortë dhe pastaj aeroplani u rrëzua. E gjitha ndodhi kaq shpejt. Kur u ngrita, kishte trupa përreth meje. U frikësova. U ngrita dhe vrapova. Kishte copa të aeroplanit përreth meje. Dikush më kapi, më futi në një ambulancë dhe më çoi në spital.
Ekspertët e aviacionit thonë se është "pothuajse e pashpjegueshme" se si ai mbijetoi, sepse kushtet për mbijetesë në atë lloj aksidenti janë pothuajse zero.
Ndërkohë Bhoomi Chauhan, ishte një prej pasagjerëve që i shpëtoi vdekjes pasi mbërriti me vonesë në aeroport.
Mbërritëm 10 minuta me vonesë, por nuk më lejuan të hipja në avion dhe u ktheva. Isha vonë për shkak të trafikut në zonën e qytetit Ahmedabad. Ata më thanë se do ta vononin fluturimin. Kur mësova se fluturimi ishte rrëzuar, isha plotësisht e mpirë. E falënderoj nënën time Perëndeshë që jam shëndoshë e mirë, por incidenti është absolutisht i tmerrshëm.
Sipas Hindustan Times, një nga dy “kutitë e zeza” të avionit është gjetur, ndërsa autoritetet indiane të aviacionit kanë nisur një hetim zyrtar ndërkombëtar.
Ministri Federal i Aviacionit Civil, Ram Mohan Naidu Kinjarapu, tha se Byroja e Hetimit të Aksidenteve të Avionëve e Indisë ka filluar hetimin në përputhje me protokollet ndërkombëtare, pas gjetjes së një prej dy kutive të zeza të avionit.
Përveç kësaj, qeveria po krijon një komision të nivelit të lartë që përfshin ekspertë nga disiplina të shumta për të shqyrtuar çështjen në detaje.
Avion Boeing 787-dreamliner i Air India, përfundoi udhëtimin e tij të fundit tragjikisht, pasi u rrëzua nga një lartësi prej rreth 190 metrash, në bordin e të cilit udhëtonin 242 persona.



