
Teatri Kombëtar do të sjellë nesër, si premierë absolute, një shfaqje interesante, me pjesëmarrjen e 12 aktorëve nga më të njohurit e skenës shqiptare, nën regjinë e Albert Mingës. Shfaqja titullohet “12 Burra të Zemëruar”.
Aktorët Donald Shehu dhe Igli Zarka, të ftuar në programin e mëngjesit "Zgjohu me MCN", ndanë emocionet e para premierës dhe shpjeguan se në qendër të shfaqjes qëndron një akuzë, 12 perspektiva të ndryshme dhe një vendim i vështirë që mund të ndryshojë gjithçka.
Donald Shehu:
Ne fakt në thelb të veprës janë 12 burra të cilët marrin janë në shqyrtim për të marrë një vendim për jetën e një djali që gjykohet dhe në këtë vendim ndodhin edhe shumë gjëra të tjera.
Djali akuzohet në gjyq që ka vrarë babain e tij, dhe juria tërhiqet për të marrë vendimin.
Këta 12 burra përpiqen që të bindin njërin sepse ai është kundër dhe ndodhin shumë gjëra. Janë aty përplasjet e parimeve, ideve, mendimeve të njeri-tjetrit.Personazhi im është me numër 2, dhe Igli është 12, e kam më të kornizuar rolin. Personazhi im është një grafik dizajner që merret me këto agjencitë e reklamave që bën vizatime dhe veçoria e personazhit tim është që i pëlqen të zhgarravis gjatë tërë kohës.
Gjatë punës që kemi bërë me pedagogët aty dhe personazhet me emër, kam vënë re që të gjithë personazhet në vetvete janë një veçori të punës apo të veseve dhe kjo është e bukura që i bën personazhet me të bukur dhe më kompleks. Personazhi im është pak i dyzuar, pak i pavendosur, nëse del një argument, ai shkon me ta, nëse del një tjetër ikën me pjesën tjetër.
Provat kanë kaluar shume mirë, shfaqja është dy orë dhe mjaft interesante.
Igli Zarka:
Unë u futa në audicion për këtë pjesë. Në fakt në këtë shfaqje janë prezent disa emra që i kanë munguar teatrit si Niko Kanxheri, Alfred Trebicka, Viktor Zhusti, dhe të jemi sinqertë, ishte si një shkollë tjetër, ku ti shikon se si pedagogët e tu sesi punojnë, se si arrijnë të gërmojnë në thellësi të rolit për ta kryer atë.
Mund të them se ata më kanë ndihmuar shumë sepse kam qenë i hapur për çdo lloj kritike apo këshille nga pedagogët. Nuk shoh presion, por frymëzim.
E bukura e rolit tim është se aty janë 12 mendje dhe mendime te ndryshme.
Autori është treguar brilant që personazhet i ka lënë pa emra por me numra, sepse rëndësi ka mendimi që ata shprehin.
Ne kemi ndjerë frymën e tetarit aty, jo një teatër sipërfaqësor, si limonadë, por teatër i vërtetë.



