
“Nga goja e Berishës ka dalë fjala që e nisim në stadium dhe e përfundojmë në seli”, kështu e shpjegoi nga studio e MCN TV analisti Mentor Kikia faktin që ditën e nesërme në kuvendin e thirrur nga ish-lideri i PD Sali Berisha pritet të ketë gatishmëri të policisë. Sipas Kikisë nuk janë të tepërta masat për shkak se angazhimi i ditës së nesërme ka brenda edhe mllefin për të dalë jashtë kontrollit.
Intervista:
Z. Kikia duket se po i afrohemi një ndër ngjarjeve kryesore politike të dekadës. E them këtë sepse për një Kuvend të një partie të thirrur nga z. Berisha është angazhuar SHBA, një i dërguar i posaçëm, shumica qeverisëse e të tjerë. Çfarë ka kaq të jashtëzakonshme në një ngjarje që duhet të ishte një ushtrim i zakonshëm demokracie?
Kikia: Të gjitha rrethanat janë të jashtëzakonshme. Pas vitit 1990 kur PD lindi si parti kjo që po ndodh është ngjarja më e rëndësishme në një parti politike që do çojë ose në rithemelimin e saj ose në pushimin së ekzistuari. E bën të jashtëzakonshëm fakti që është në konkurs të hapur në raport me SHBA për shkak të shpalljes non grata të Berishës për të mbërritur tek e pazakonta tek një event politik organizuar në stadium. Kjo që po ndodh në Shqipëri është e pazakontë.
Sot patëm një deklaratë të drejtorit të Policisë, z. Gledis Nano që ka njoftuar se “policia është në gatishmëri”. Mendoni se është gabim nga ana e qeverisë aktivizimi policor në këtë nivel meqenëse ne kemi parë që në aktivitete partish nuk ka angazhim të tillë.
Kikia: Investimi i policisë për të qenë në gatishmëri lidhet me disa thashetheme pasi nuk janë informacione që kanë dalë nga burime zyrtare se kuvendi mund të pasohet nga një lëvizje e mbështetësve drejt selisë së PD ku ndodhet pjesa zyrtare. Kjo për faktin që nga goja e Berishës ka dalë fjala që e nisim në stadium dhe e përfundojmë në seli. Duke pasur parasysh një lloj energjizimi, angazhimi që ka brenda edhe mllefin për të dalë jashtë kontrollit besoj se nuk janë të tepërta masat e policisë. Nëse do ketë shfaqje të dukshme të policisë kjo do jetë e tepërt.
Sipas jush ndihet i frikësuar sot Lulzim Basha? Per fatin e tij politik…
Kikia: Patjetër. Basha është i vetëdijshëm që ka humbur shumicën, bazën e PD etj, por ka një shpresë të madhe tek suporti i SHBA kjo treguar edhe nga vizita e Eskobar. Përkimi i vizitës së tij para kuvendit ishte një mesazh dhe ftesa publike për në Uashington është mbështetje për Bashën. Situata do vazhdojë edhe pas dy kuvendeve. Nesër do jetë një votim i paprecedentë për shkarkimin e Bashës. Do kemi një kryetar të shkarkuar që do shkojë në Uashington, por do kemi një PD të drejtuar nga Basha dhe gjithë ky mozaik do ta bëjë të pazakontë.
Në 2011 Sali Berisha u shpall burrë shteti nga ish-ambasadori Arvizu. Sot ai shpallet non grata. Sa seriozisht duhet ta marrim një politikë si kjo e SHBA në Tiranë?
Kikia: Besoj duhet bërë dallimi mes dy shpalljeve. Ajo që beri Arvizu ishte deklarata , ajo që bëri DASH ishte vendim. Berisha ka pasur marrëdhënie të mira, ka pasur marrëdhënie të acaruara. Por nuk kemi as miq as armiq të përhershëm, kemi interesa të përhershme. Basha do ketë mbështetje jo për meritë të tij
Duket se ky proces do të prodhojë një viktimë politike, në kuptimin e një nxjerrjes jashtë loje të njërit prej njerëzve kryesorë në PD. Kush mendoni se do të jetë viktima?
Kikia: Pyetje e fortë dhe bast i vështirë. Ajo që duket qartë është se Berisha e ka shumicën. Ky lloj teatri nuk besoj se do zhgjidhet me teatrin në shkallët e stadiumit. Besoj se çështja do shkojë në Gjykatë dhe më pas do vendoset dhe do kthehet historia kush ka të drejtë dhe kush jo.
Z. Kikia një pyetje për një tjetër çështje: sot presidenti i Republikës ka kthyer ligjin për buxhetin e vitit 2022. Në arsyetimin e tij kreu i shtetit ndër të tjera thotë: Sipas treguesve të vitit 2020 dhe të vitit 2021…rreth 930 457 persona jetojnë me të ardhura nën 5.5 $. Pra kemi një buxhet jo social. Mendoni se duhet marrë në konsideratë kjo vërejtje?
Kikia: Mendoj se çdo buxhet do duhej të ishte kthyer mbrapsht, kjo pasi buxheti i shtetit kalon me një seancë të vetme ku nuk bëhen ndryshime dhe nuk propozohen amendime. Diskutimet që bëhen janë me përmbajtje politike dhe kalohet në votim. Pretendimi i presidentit mendoj se është i arsyeshëm dhe qëndron.



