
Opozitari rus Alexei Navalny nuk është në rrezik vdekjeje, por situata e tij shëndetësore edhe mund të përkeqësohet.
Lajmi është konfirmuar nga zëdhënsja e spitalit Charite në Berlin, e cila theksoi se analizat klinike të politikanit opozitar rus Alexei Navalny tregojnë për helmim.
Ajo theksoi se gjendja e tij shëndetësore është e rëndë, por për momentin nuk ka rrezik për jetën.
Mjekët e spitalit, mendojnë se Navalny mund të jetë helmuar me një substancë nga grupi i frenuesve të kolinesterazës.
Nga një substancë e këtij grupi u helmua para dy vjetësh në Londër agjenti i dyfishtë, Sergej Skripal.
Megjithatë, spitali Charite ka theksuar se substanca e saktë me të cilën është helmuar Navalny ende nuk dihet.
Një mendim të ngjashëm ka shprehur edhe qeveria gjermane, e cila ka theksuar se më shumë mundësi Navalnyn e kanë helmuar.
Qeveria gjermane ka kërkuar “transparencë të plotë” për sqarimin e rastit.
Reparti ku po kurohet Navalny në Berlin ruhet nga nëpunës të Policisë Federale Gjermane.
Navalny është transportuar në Gjermani për trajtim më të specializuar mjekësor.
Navalny, dyshohet se u helmua teksa po pinte çaj.
Katër ditë më parë, mjekët rusë që e mjekuan deklaruan e se nuk ka shenja helmimi në gjakun e Navalny, ndërsa thanë se gjendja e tij është tepër e rëndë për t’u transportuar në spital tjetër.
Mirëpo pa kaluar as 24 orë nga ajo deklaratë, Navalny u nis me avion drejt Berlinit, ndërsa shpenzimet e udhëtimit janë paguar nga një OJQ gjermane.
Kreu i opozitës ruse shoqërohet nga bashkëshortja e tij.
Mbështetësit e Navalny akuzojnë autoritetet ruse se po fshehin ngjarjen. Alexei Navalny u sëmur teksa po udhëtonte me avion nga Tomsk për në Moskë.
Ai kishte pirë një filxhan çaj në aeroportin e Tomsk përpara fluturimit. Pasi Navalny shfaqi probleme shëndetësore, avioni bëri ulje emergjente në Omsk.



