
Alarmi u dha në verën e vitit 2024 nga Rrjeti i Akionit të Bazelit.
2800 ton mbetje të dyshuara me përmbajtje të rrezikshme ishin nisur nga Porti i Durrësit në drejtim të Tajlandës.
Askush në Shqipëri nuk dinte gjë!
Ministria e Mjedisit ishte e para që mohoi lidhjen e trafikut.
Qindra punonjës në agjencitë e mjedisit, autoritetet doganore dhe të portit, nuk dhanë ndonjë sinjal të kuq. Si gjithmonë, ata që ngrenë alarmin për dështimin institucional janë të huajt.
Hetimet e Prokurorisë së Durrësit vulosën dyshimet e sinjalizuesit dhe tregojnë se të paktën 33 persona, përfshi dhe zyrtarë të shtetit shqiptar ishin të përfshirë në skemën e trafikut të mbetjeve të rrezikshme, në qendër të të cilave është kompania gjigande e përpunimit të hekurit Kurum.
Po kush e ngriti këtë çështje dhe çfarë gjeti prokuroria?
Data 16 korrik e vitit 2024. Në portalin global të krijuar nga Rrjeti i Aksionit të Bazelit vjen një informacion nga një burim anonim:
“Janë 4 dërgesa me mbetje të rrezikshme zinku me kod Bazel 100207. Sigurisht që mallin e kanë deklaruar me kod të ndryshëm nga ky. Këto dërgesa do të arrijnë në Tajlandë afërsisht në datat 23-28 gusht 2024. Këto janë numrat për këto kontenierëve të kompanisë Maersk. I njëjti grup personash kanë kontejnerë të bllokuar me të njëjtën ngarkesë nga viti i kaluar në Kinë me kontejnerët Maersk. Këto ngarkesa janë bllokuar për një kohë të gjatë në port, mund të kontrolloni dhe do të zbuloni se 115 kontejnerë të deklaruar si koncentrat të ulët të zinkut janë bllokuar për një kohë shumë të gjatë në portin e Guangzhou Nansha.” nga adresa fatra24@proton.me.
Rrjeti i Aksionit të Bazelit është një organizatë jofitimprurëse me bazë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e cila është themeluar në vitin 2009. Misioni i saj është të mbrojë shëndetin e njerzve që shkaktohet nga ndotja mjedisore në nivel global dhe t’i japë fund tregtisë së mbetjeve toksike në emër të një ambienti të pastër. Fokusi kryesor i organizatës është respektimi i Konventës së Bazelit, marrëveshje ndërkombëtare të cilën e ka firmosur dhe Shqipëria dhe ka të emëruar për respektimin e saj një person të posaçëm pjesë e stafit të Ministrisë së Mjedisit.
Me të mbërritur ky email në rrjetin e organizatës, drejtuesi i saj Jim Puckett kërkon informacione të tjera.
“I dashur Fatra24,
Faleminderit shumë që na paralajmëruat. Ne verifikuam numrat e kontejnerëve të përfshirë. Pyetja jonë e menjëhershme për ju është nga e dini se materiali është një mbetje e rrezikshme? A është materiali nga pluhuri i furrës me hark elektrik (EAF) apo burim tjetër? A e njohim ne gjeneruesin e mbetjeve?”
Denoncuesi përgjigjet se ishte i sigurtë, mbetja ishte e rrezikshme e klasifikuar në llojin EAF, ndërsa tregonte se kishte qënë prezent në portin e Durrësit gjatë kohës që ngarkesa po depozitohej në kontenierë.
Pas këtij emaili, punonjësit e Rrjetit të Bazelit nisën punën kërkimore, ku në bazë të numrave të faturimit arritën të gjejnë kodet për 102 kontenierë ngarkesë që po niseshin drejt Tajlandës nga kompania e transportit Maersk. Sipas fotografive të dërguara u arrit në përfundimin se ato ishin realizuar në Portin e Durrësit. Në foto dallohej qartë se nuk ishte marrë asnjë masë sigurie për punonjësit që ngarkojnë mbetjet në kontenierë, të cilët ishin pa maska, dhe pluhuri i mbetjeve nuk ishte në qese ose fuçi të mbyllura.
Nga fotot e dërguara u arrit që të vlerësohej lloji i mbetjeve nga ekspertët mjedisorë.
“Ne mund të vlerësonim natyrën e mbetjeve – duke treguar se ishte shumë në përputhje me pamjen e pluhurit të çelikut EAF, ngjyrë kafe dhe grimca shumë përfundimtare. Për më tepër, ka shumë pak rryma mbetjesh të prodhuara që janë në këtë formë pluhuri.” tha në deklaratë “Rrjeti i Aksionit të Bazelit”
Të alarmuar nga ajo që po ndodhte, organizata i shkruan më 24 korrik 2024 autoritetit kompetent të Konventës së Bazelit në Shqipëri dhe personit të kontaktit Elvana Ramaj për t’i paralajmëruar për shqetësimin e transportit të mbetjeve të rrezikshme.
“Njoftuam se mbetjet ndodheshin në dy anije, Maersk Campton dhe Maersk Candor. I pyetëm nëse ata kishin ndonjë regjistrim të dërgesës sipas procedurave dhe rregullave të njoftimit të Bazelit dhe pyetëm nëse mund të punonin me autoritetet e Maltës ku njëra nga anijet ishte planifikuar të mbërrinte menjëherë.”
Më 25 korrik i mbërriti kjo përgjigje nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit.
“I dashur Jim,
Lidhur me emailin tuaj, ju lutemi vini re se Ministria e Turizmit dhe Mjedisit si autoriteti kompetent për Konventën e Bazelit në Shqipëri për lëshimin e autorizimeve për eksportin e mbetjeve nga territori i Shqipërisë, nuk ka autorizuar asnjë subjekt për eksportin e mbetjeve të identifikuara nga ju në shtetin e Tajlandës. Gjithashtu, ne nuk kemi njohuri për eksportimin e 80 ngarkesave me kontejnerë të mbetjeve të rrezikshme në Tajlandë. Lidhur me pretendimin tuaj se ato mbetje janë nga shteti shqiptar, ju lutemi të na jepni informacion më të detajuar për kompaninë që eksporton mbetjet në mënyrë që ne të fillojmë një hetim për këtë çështje.”
Duket ironike, Ministria e Mjedisit, e cila duhet të ketë sistemin e gjurmimit për çdo lloj mbetje, të rrezikshme apo jo, thotë se nuk di gjë për ngarkesat.
Që çështja të merrej seriozisht nga autoritetet, duhej që Rrjeti i Aksionit të Bazelit të publikonte në media alarmin për trafikun e mbejtjeve të rrezikshme nga Shqipëria drejt Tajlandës.
Jim Puckett jep njoftimin në mediat ndërkombëtare dhe prestigjozja Bloomberg i kushton disa artikuj trafikut të mbetjeve të rrezkishme ku është përfshirë Shqipëria.
Ndërkohë Rrjeti i Bazelit ia kishte dalë të merrte garanci nga autoritet në Tajlandë dhe Singapor se anijet nuk do të lejoheshin të shkarkonin ngarkesën, ndërsa linja e transportit Maersk siguroi se mbetjet do të ktheheshin në Shqipëri në zbatim të neneve 8 dhe 9 të Konventës së Bazelit.
Pas njoftimit, Tajlanda kërkon informacion nga autoritetet shqiptare dhe mëson se dërgesa ishte ngarkuar në anije nga Porti i Durrësit në Shqipëri, e se kompania transportuese nuk kishte marrë autorizim për transport mbetjesh të rrezikshme, pasi ishin deklaruar materiale të padëmshme!
Për ditë me radhë, askush nga institucionet shqiptare nuk guxoi të flasë për këtë çështje.Të parët që dhanë sqarime për skandalin ishin autoritetet doganore.
“Në kuadër të bashkëpunimit me Organizatën Ndërkombëtare Doganore, dhe mbi bazën e informacioneve të shkëmbyera me Konventën e Bazel dhe OLAF, është identifikuar një ngarkesë të dyshimtë, e cila është nisur nga Porti i Durrësit dhe ka bërë transhipment në Trieste dhe Pire. Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, OLAF dhe strukturat e tjera të përfshira, po bashkëpunojnë aktivisht për të lokalizuar ngarkesën gjatë transportit dhe për të verifikuar nëse ngarkesa është mbetje.” deklaruan Doganat.
Ende nuk dihej se çfarë ishin këto mbetje, nga vinin, kush ishte prodhuesi dhe transportuesi i tyre. Kjo do të duhej të sqarohej nga autoritetet mjedisore.
Ministria e Mjedisit vendosi të thyejë heshtjen dhe të sqarojë se mbetjet e rrezikshme që dyshohet që ishin ngarkuar në bordin e linjës Maersk ishin të kompanisë turke Kurum, e cila prej vitit 1998 shfrytëzon ish-Kombinatin e Metalurgjikut të Elbasanit.
Por skandali nuk ndalet këtu. Rrjeti i Aksionit të Bazelit zbuloi se një tjetër ngarkesë e nisur nga Porti i Durrësit në muajin prill me 115 kontenierë mbetje toksike qëndron e bllokuar në Kinë.
Ngarkesa ishte deklaruar se kishte në brendësi të saj minereal zinku, por pas analizave që kanë kryer autoritetet kineze, ka rezultuar se lënda ishte gjeneruar nga përpunimi hidrometalurgjik i metaleve jo hekur dhe përmbante nivele të larta të plumbit dhe elementëve të tjerë që konsiderohen toksikë.
Për këtë rast, Dogana Shqiptare ka reaguar brenda ditës, për të thënë se mbetjet nuk ishin të Shqipërisë, por Kosovës.
“Rasti i cituar nga media nuk është eksport nga Shqipëria por një tranzit ndërkombëtar i produktit koncentrat zinku nga Kosova. Pra, produkti është koncentrat zinku me origjinë nga Kosova me firmë dërguese/eksportuese Apelbaum me adresë Rr. Fehmi Agani, Prishtinë,Kosovë. Firma pritëse është ACHRO AG me bazë në Zvicër. Firma zvicerane ACHRO AG është urdhëruese e kompanisë detare MAERSK për transportin e këtij produkti.”
Por, djalli fshihet në detaje. Autoritetet doganore nxituan të mohojnë përgjegjësinë duke ia lënë fajin Kosovës, por ligji për menaxhimin e integruar të mbetjeve, ndalon importimin dhe tranzitimin e mbetjeve të rrezikshme, çka vë në pikëpyetje rolin e institucioneve në kufi me Kosovën dhe inspektoriateve mjedisore në Shqipëri.
“Ndalohet në të gjitha rastet importimi i mbetjeve të rrezikshme në Republikën e Shqipërisë. Ndalohet në të gjitha rastet kalimi transit ndërkufitar i mbetjeve të rrezikshme në Republikën e Shqipërisë.” thuhet në Ligjin për “Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve”.
Dyshohet se për të reduktuar koston e trajtimit të mbetjeve, zgjidhen vende si Kina, Tajlanda apo Singapori, ku lëndët e dëmshme depozitohen jashtë standardeve mjedisore.
Kompania e cila ka eksportuar të dy dërgesat e bllokuara, mbetjet nga Kosova dhe Shqipëria, është Sokolaj shpk. Shoqëria është themeluar në vitin 2006 në Lushnjë me aktivitet në fushën e tregtisë të mallrave bujqësore, por që më pas zhvendoset në Durrës dhe nga viti 2020 ushtron aktivitetin në fushën e transportit të mbetjeve duke vendosur aktivitetin në afërsi të uzinës së Ferrokromit në Elbasan. Në vitin 2022 kompania në pronësi të Gjovana Sokolaj licensohet në fushën e transportit të mbetjeve.
Kompania Sokolaj ka deklaruar se 102 kontenierët përmbajnë sasi të oksidit të hekurit dhe zinkut dhe jo të lëndës EAF.
Në rast se mbetjet do të deklaroheshin të rrezikshme, Sokolaj duhet të merrte një autorizim për transportin e tyre pranë Ministrisë së Mjedisit, të kishte një çertefikatë pranimi nga vendi pritës dhe malli duhet t’i nënshtrohej kodit ndërkombëtar IMDG të transportit detar të mallrave të rrezikshëm.
Prej vitesh gjeografia e hartës së industrisë së rëndë që prodhojnë nënprodukte të metaleve të rënda si hekuri dhe çeliku, apo të lëndëve të para të industrisë së ndërtimit siç është çimento, janë zhvendosur nga vendet e zhvilluara në ato të botës së tretë.
Arsyeja? Ndotja e madhe që shkaktojnë dhe kosto e lartë për mbrojtjen e mjedisit dhe trajtimin e mbetjeve. Kjo e ka bërë këtë industri që të jetë gjithnjë e më pak fitimprurëse duke e orinetuar tregun e vendosjes së tyre në vende që nuk i kushtojnë vëmendjen e duhur ruatjes së mjedisit dhe natyrës.
Në Shqipëri, përpunuesi më i madh i metaleve është Kurum, i vendosur në ish-Kombinatin Metalurgjik të Elbasanit. Kurum është një nga kompanitë më të mëdha që operojnë në vendin tonë dhe që gjenerojnë mbetje të rrezikshme dhe jo të rrezikshme. Por hetimet e Prokurorisë së Durrësit tregojnë se trajtimi i mbetjeve të kësaj fabrike është lënë jashtë vëmendjes dhe kontrollit, tërësisht në përgjegjësinë dhe vetëdeklarimet e kompanisë private.
Gjasat janë se interesi në këtë mes, është i prodhuesit të mbetjeve, kompanisë Kurum, e cila do të duhet të paguante një tarifë të kripur për trajtimin e tyre, ndërsa firma Sokolaj është përdorur për të bërë transport të këtyre mallrave duke prodhuar vetë dhe certefikatën e analizave përmes një kompanie që zotëron në Kroaci të quajtur GS Minerals D.o.o.
Kurum nxitoi në nisje të skandalit që të mohonte përgjegjësinë në eksportin e mbetjeve të rrezikshme, por pa u shprehur nëse mbetjet që ka transportuar kompania Sokolaj ishin ose jo të saj.
Prokuroria e Durrësit hetoi për një vit e gjysëm këtë çështje.
Më 28 tetor 2024 anija Molivia u ankorua në Portin e Durrësit për të kthyer ngarkesën me 2100 ton mbetje, ndërsa për ditë me radhë autoritetet u morrën me procedurat e ruajtjes së kontenierëve duke vendosur përfundimisht qëndrimin e tyre në zonën e Porto Romanos dhe monitorimin 24 orë me kamera.
Një sagë e gjatë ishte gjetja e një laboratori të specializuar për të bërë analizën e mbetjeve. Në disa raste u desh thirrja e Rrjetit të Bazelit që kjo çështje të ecte përpara, ndërsa presioni ndaj organeve hetimore dukej se ishte i madh.
Hetimet e Prokurorisë do të merrnin jetë vetëm pas mbërritjes së përgjigjes së analizave. Për 11 mostrat që u morrën në mënyrë rastësore në 102 kontenierët e bllokuar, rezutatet tregonin se kishte prani të substancave të rrezikshme, të cilat pasi u krahasuan me mbetjet e marra nga furra elektrike e Kurum, tregonin se bëhej fjalë për material të të njëjtit lloj.
“Në rastin e materialit të analizuar, bëhet fjalë për pluhur të grumbulluar nga sistemet e filtrimit të gazrave të furrës elektrike të çelikut, proces i cili përfshihet qartësisht në fushëveprimin e nënkapitullit materialeve të rrezikshme.” thuhet në dosjen hetimore të Prokurorisë Durrës.
Kjo përgjigje çoi në kërkesën e prokurorisë për të vendosur në masë sigurie arrest me burg për 26 persona mes tyre drejtues të kompanisë Kurum dhe Sokolaj dhe për 7 të tjerë u lëshua masa e arrestit shtëpiak. Nën akuzë për përfshirje në aferën e mbetjeve të rrezikshme edhe disa biznesmenë që kanë transportuar mbetjet e Kurum dhe zyrtarë të lartë të agjencive publike.
“Nga analizimi i akteve të administruara në funksion të këtij procedimi penal dhe rezultateve të ekspertimit, rezulton se subjektet Sokolaj dhe Kurum International, në dijeni të plotë të rrezikshmërisë së mbetjeve të rrezikshme, kanë kryer një sërë veprimesh për fshehjen e llojit të vërtetë të mbetjes, me qëllim eksportimin jashtë Shqipërisë, duke ju shmangur të gjitha detyrimeve ligjore të parashikuara në legjislacionin shqiptar dhe atë ndërkombëtar për menaxhimin e mbetjeve të rrezikshme. Shoqëria Kurum dhe Sokolaj kanë fshehur në mënyrë të vazhdueshme natyrën e vërtetë të llojit të mbetjes së rrezikshme, duke e përpjekur ta paraqesin herë si oksid hekuri dhe herë si oksid zinku.” thuhet në dosje.
Hetimi zbuloi një nga skemat më të mëdha të përfshirjes së kompanive private, rrjetit ndërkombëta të trafikut dhe agjencive publike në kontrabandën e mbetjeve të rrezikshme.
Deri dje, Shqipëria ishte jashtë hartës së këtyre vendeve.
Hetimi ka gjetur se mbetje të tjera të gjeneruara nga Kurum International janë transportuar nga firma private, ku nën akuzën është Alliance Resource për trajtim jashtë standardeve ligjore të mbetjeve të rrezikshme dhe Bajrami N, për transport dhe përdorim të mbetjeve jo të rrezishme, por dhe për to do të duhej që të kishte lejet e duhura për trajtim.
“Krahas mospërputhjeve të të dhënave që Kurum raporton përsa i përket sasive dhe kodit të mbetjeve, Kurum ka shitur mbetje të rrezikshme tek shoqëria "Alliance Resource", e cila nuk disponon kushtet e nevojshme për trajtimin e këtyre mbetjeve. Po kështu, sasitë e shitura nga Kurum janë mbetje të rrezikshme në sasi shumë të mëdha, për të cilat Alliance nuk ka kapacitet ti menaxhojë.” thotë Prokuroria Durrës.
Në të dyja rastet kompanitë kanë humbur gjurmueshmërinë dhe askush nuk e di se ku kanë përfunduar substancat e marra nga Kurum.
“Bajrami N” nuk disponon leje për përpunimin/trajtimin e skorjeve, por vetëm lejet e mjedisit të tipit "B". Asnjë prej tyre nuk përfshihet në lejet mjedisore të kësaj shoqërie. Nga të dhënat e adminisruara nuk ka asnjë informacion se çfarë procesi pune ka ndodhur, ku janë depozituar këto mbetje, dhe si janë trajtuar pasi nuk ka asnjë regjistër të deklaruar mbi to.”
Në kontenierët e bllokuar, sasia e mbetjeve të rrezikshme që ishin deklaruar si oksid zinku dhe oksid hekuri, nuk janë të vetmet që ka gjeneruar Kurum.
Në dëshiminë e dhënë në prokurori, Rami Bunga, specialist pranë zyrës së mjedisit në kompaninë Kurum, ka rrëfyer se përgjatë 4 - 5 viteve të fundit, Kurum ka gjeneruar 25 deri në 30 mijë ton pluhur EAF, që del nga filtra i furrës elektrike të çelikut.
“I pyetur në lidhje me me sasinë që gjeneron kompania Kurum për secilën nga mbetjet e cituara, shtetasi Rami Bunga ka deklaruar se, në lidhje me mbetjet oksid zinku, nga karta teknologjike, sasia e prodhuar është 1.5% deri në 2% të sasisë së skrapit të përpunuar për prodhim. Kjo në peshë për 4 ose 5 vitet e fundit ka qenë reth 25.000 deri në 30.000 ton.”
Askush nuk e di se ku kanë përfunduar këto mbetje.
I gjithë zinxhiri institucional i monitorimit nga Agjencitë Mjedisore dhe Ministria e Mjedisit kanë dështuar. Hetimet kanë gjetur se autoritetet janë mjaftuar vetëm me vetëdeklarimet e kompanive private pa bërë kontroll të zbatimit të standardeve mjedisore, ndërsa kontrollet kanë qënë rutinë mbi baza vjetore dhe jo tematike.
“Agjencia Kombëtare e Mjedisit ka kryer shkelje në ushtrim të detyrës si institucion mbikëqyrës përgjegjës për respektimin e kritereve të sigurisë në fushën e mjedisit. Rezulon se kjo agjenici, nuk ka kryer inspektime periodike tematike, por vetëm inspektime vjetore të përgjithshme, në të cilat gjithashtu evidentohen shkelje mbi rezultatet e inspektimit.” thuhet në dosjen hetimore të Prokurorisë Durrës.
Dështim i zinxhirit institucional për monitorimin e trafikut të mbetjeve ka përfshirë dhe agjencitë e tjera: doganat dhe autoritetin portual.
Ndërsa kompania koncesionare e ngarkimit të kontenierëve EMS Albania Port Operator ka shkelur në disa raste kushtet mjedisore, ndërsa prej vitesh nuk kishte marrë masat për të përmbushur standardet dhe pse këto konstatime ishin kryer nga autoriteti i Portit të Durrësit dhe eksperti mjedisor.
“Në çdo rast, leja e mjedisit i është dhënë subjektit EMS APO vetëm për magazinim a grumbullim të hekurishteve e skrapeve që nuk përmbajnë material të rrezikshëm. Që do të thotë se EMS APO ka pasur detyrimin të krijojë sistem verifikues mbi mallrat që pranon.” thotë Prokuroria.
Tashmë është gjykata e cila do të japë verdiktin kryesor për këtë çështje, e cila nëse vërtetohet tërësisht se ka qënë siç dyshon prokuroria, do të çojë në pranga 33 persona.
Megjithatë ky hetim nuk ka arritur të gjejë përgjegjësit në sferën më të lartë institucionale: ministrat e Mjedisit të cilat kanë toleruar për një kohë të gjatë që mbetjet e rrezikshme në vendin tonë të mos kenë adresë duke lënë një pikëpyetje të madhe për vendepozitimin e tyre dhe pasojat që mund t’i jenë shkaktuar shëndetit tonë.



